Pavarësisht se kryeministri Edi Rama ka marrëdhënie të tensionuar me median më të klikuar gjermane BILD.de, kjo nuk i ka penguar këto dy të fundit për të kryer një intervistë, përcjell foldrejt.com. Vlen të theksohet se Bild.de ishte media e parë europiane që publikoi video-incizime të vjedhjes së votave nga socialistët, që më pas solli edhe padinë e Ramës kundrejt kësaj media.
“Unë nuk besoj që shtetet e Ballkanit janë kërcënim për Gjermaninë ose për shtetet tjera të BE. Ne si shtet shqiptar kemi dashur të jemi transparent me numrin e infektimeve, përkundër disa shteteve tjera. Kur unë mendoj se Kina ka pesë raste dhe Shqipëria 100, kjo s’mund të jetë e vërtetë,” tha Edi Rama në pyetjen e Bild.de, nëse Shqipëria është fajtor për rritjen e rasteve të infeksioneve në Gjermani. “Është matematikë e thjeshtë. Numrat tona të vogla nuk mund të ndikojnë në shtete të mëdha si Franca ose Gjermania.”
Në pyetjen nëse duhet të dënohet Kina, për dëmet që i ka sjell botës nga Covid19, Rama përgjigjet: “Nëse ndokush ka luajtur një lojë të gabuar, natyrisht që ai duhet të paguajë. Pika më fragjile është, se pse bota është informuar vonë. Pse ka kaq shumë pyetje në lidhje me karantinën në Kinë dhe udhëtimin e lirë nga Kina? Të gjithë këto pyetje nuk janë konspiracione, por pyetje të qarta që kërkojnë hetime për analiza themelore. Në rast se në fund vërtetohet se ndokush ka faj, atëherë duhet të merren edhe përgjegjësi”.
Në fund Edi Rama shtoi se gjermanët nuk kanë dëshmitar më të mirë se Franz Josef Strauss, i cili vizitoi vendin e shqiponjave në 1984, ku mbeti i impresionuar dhe kërkoi një rrugë mes Bavarisë dhe Shqipërisë. Sipas Strauss, Shqipëria ishte një parajsë e fshehur, që duhej të zbulohej nga gjermanët./Foldrejt.com