Nga Edlira RAMAJ
Imer Topanica, shënimet e tij të pamjaftueshme i nis me poezinë “Perdja”, si prolog i poezive në vijim. Në teatër perdja është fillim i skenave kur ajo ngritet, dhe është fundi i tyre kur ajo zbret. I tillë është Zoti për ne, krahasimisht në poezinë “Perdja”. Ai është Dashni. Dashnia ku ne fillojmë dhe tek e cila është fundi ynë. Pra, si prolog, poezia “Perdja” është për Dashninë, ontologjinë, koshiencën e subkoshiencën. Është ndjenja a metafizika, e pashpjegueshmja dhe ekzistenca, por mbi të gjitha është e vërteta jonë.
“O Zot”, në formë lutjeje, e thirrje, Topanica hap dyert e poezive si emërtim i kapitullit të parë, e po aq si prag hyrjeje në shkrimin e tij poetik të cilën hyrje e përcjellë me një ajet kuranor “Zoti i dy lindjeve dhe i dy perëndimeve” (Rrahman: 17) për të na paralajmëruar që direkt dhe indirekt Zoti është Prania e poezive të tij dhe Shoqëruesi i përhershëm në muzat e tij poetike.
“Mizorisht kanë me ma shkulë prej krahnorit zemrën/ e unë prapsëprap veç Ty kam me të dashtë”, shkruan poeti në poezinë “Kam me të dashtë” që si interpretim mund të hap sfonde të ndryshme analitike, por në sfondin me të afërt mund të themi se është përsëri Dashnia, Krijuesi. Si pashmangie nga qenia e poetit prej çdo lloj situate të shtruar.
Kjo është prej motiveve të para që hasim në poezinë e poetit Imer Topanica, por të cilat zgjerohen në tematika të përziera për ta arritur përfundimisht një sintezë, atë që qenia e poetit absorbon, jetën si funksion, dhe si meditim. Në të shumtën e poezive ai rrëfen poetikisht në vetën e parë, dhe uni i tij është prekje e vargut që shkruan. Në rastet më të shpeshta largohet nga rima, nga metrika, por jo nga forma. Topanica dëshiron ta shkruajë lirshëm poezinë, por t’i qëndrojë besnik formës së saj, si i tillë ai është lirik sepse është ndjesor dhe është shpërthyes.
Poezia “Eja” e Imer Topanicës na gjen në retrospektivën personale së leximit të poezive, dhe në këtë retrospektivë si kujtim vjen poezia e Bilal Xhaferrit “Eja trishtim”, dallimi është i madh, po aq sa është dhe ngjashmëria, Topanica është në kërkim të këngës, a në pritje të saj, ndërsa Xhaferri e do trishtimin si ardhje, si prehje po aq. Pra, motivi i pritjes është koherent “Gjatë të kam pritur/Nën strehën e pikëllimit” .
Është pritje si në ankth, të cilës poeti Topanica metaforikisht i dorëzohet dhe nga e cila merr forcë. Qielli, retë, hëna, deti, yjet janë elemente të shpeshta në poezinë e Topanicës, të cilat i kombinon në sintagma dhe i shndërron në metafora shprehëse për ta shndërruar kështu poezinë e tij në tërësi si imazhe, sintetikisht imazhe mistike. Poezia e Topanicës ka figura, si intencë për ngritje të moralit human. Është figura e Rukijes, tezës së poetit, ai jep “Kurajë!” përmes figurës së saj, dhe simbolikisht Rukija është e mveshur me përfaqësimin e gruas tradicionale shqiptare, e fortë, punëtore, e guximshme dhe e qetë, mësimi moral i së cilës kuptohet mjaftueshëm veç kur ajo nuk është më. Ndërsa në figurën e gjyshit të tij Ukës gjejmë përfaqësimin e burrit tradicional shqiptar, burrë odash, i cili flet pak, ose më shumë flet heshtja e tij, guximi i së cilit është po aty, në qetësinë e hapave dhe matjen e fjalëve që thotë.
Topanica ka një skutë te vetën poetike ku fshehet për ta marrë muzën, a për ta ushqyer nepsin e tij prej poeti. Kjo skutë janë poezitë e Hafizit “Kaq vonë/ kur shpirtrat i braktisin trupat/ Dhe bredhin nëpër andrra/ Rri mbi gemin e kësaj bote/ Pi çaj/ tue i dashtë/ Poezitë e Hafizit” duke u bërë kështu rrëfyes i vetes për poetet që ai i lexon, dhe i çmon aq më shumë, si Hatibi të cilit ja këndon perafrazisht revolucionin e ri pa cigare, Shpëtim Selmanit të cilit ja dedikon një poezi të cilën e titullon “E urrej Shpëtim Selmanin”, por alegorish e plot mllef pozitiv ai shpreh admirimin që ka ndaj poetit Selmani, për gjithë indiferencën ndaj aktualitetit politik, për heshtjen e tij ndaj fazave a epokave, e për forcën që ja jep poezisë edhe kur ajo nuk lexohet.
Topanica nuk le pa përmendur edhe poet tjerë të huaj si Mevlana, Khajami, Sadiu etj., nga brumi i të cilëve ai ushqehet për ta gatuar poezinë e tij, dhe për ta tjerrur vetminë si një motiv tjetër në krijimin poetik të Topanicës në të cilën ndeshet me vetën dhe nga ku prej vetes spastrohet, rrjedhimisht vetmia e tij është katarsisi që ai ndjek . Poeti Topanica shpalos të keqen e botës sipër zërit të profetit Muhammed “Boll u mundova të keqen me ua zhba nga bahçet e zemrave/E muzikën e Dashnisë me ua kujtue/ Po me tingullin e njasaj heshtjeje/Ata po vdesin në mjerim/ pa ditë me u mësue”. Mes këtyre vargjeve, poeti jep raportin mes Zotit, të dërguarit(lajmëtarit) dhe mes njeriut si mesazhmarrës dhe si shpërfillës po aq. Mesazhi është i thjeshtë: nëse ky raport nuk është i shëndosh, atëherë e keqja mbi botën është rezultati.
Ndikimi i poezisë dhe besimi i tij religjioz është indikacion i dukshëm në formimin e Topanicës si njeri dhe si poet. Apo më saktë në njeriun e poetit, prandaj ai vjen e bëhet gjithnjë e më mistik në vargun e tij. Në rastin e poezisë “Erdhi ora të vdes përsëri”, poeti Topanica bën një digresion poetik si rimarrje apo intertekst të poezisë “Prelud” shkruar nga poeti lirik Frederik Rreshpja. “O ajër i mbrëmjes së ditës së humbur/ Edhe mua më erdh ora të vdes përsëri”. Topanica njëjtë sikurse Rreshpja e shumëzon vdekjen, pra, ajo ndodhë përsëri, dhe nëse ndodhë përsëri është sepse ka ndodhë më herët. Por pse mbrëmjeve?, çfarë është kjo mani e poetëve që dëshirojnë të vdesin mbrëmjeve?
Kjo është sepse ata janë ditët që kalojnë, dhe kur një ditë kalon e vjen mbrëmja, vdes një pjesë e njeriut, për të kaluar në vdekjen e radhës deri të shuarja totale e qenies. Këtij digresioni poetik, Topanica i jep krah edhe më tej kur kalon nga lutjet, meditimet, mesazhet e shpërthimet emocionale në tema që kapin aktualitetin politik, shoqërinë dhe individin si militantë apo si pre e klanëve politike.
Topanica është thumbues, por gjithashtu është edhe përkrahës qoftë edhe indirekt apo në formë satire i ndonjë figure që ai mund ta shquajë si më të duhurin në politikën tonë, apo më të duhurin e të paduhurve. Dhe këtij digresioni Topanica i jep emër, e quan revolucion. Por revolucioni i Topanicës nuk është revolucion ndaj tjetrit, por është revolucion i njeriut ndaj vetes parimisht, për zgjedhjet që ne i bëjmë vetvetiu dhe vetëdijshëm, e pastaj ankohemi nga të zgjedhur tanë, duke harruar se ata na kanë nën pushtetin e tyre sepse ne i zgjodhëm për pushtetarë tanë. Kësisoji Topanica ka një çmim të shenjtërisë që ua vendos vetëm luftëtarëve që u rrin krah çdo ideali për shenjtërinë e atdheut të vetë, dhe për rënët nuk ngrisin memorial të harrimit.
Digresioni që poeti bën është i shkurtër dhe në këtë shkurtësi digresive vihen re edhe ndikimet e tij profesionale. Ai është gazetar dhe si i tillë ai duhet të jetë konsekuent ndaj aktualitetit. Kësisoji poeti Topanica përsëri zhveshet nga petku i profesionit për ta veshur petkun e endjeve poetike me motive universale të cilën edhe vetë e titullon “bredhje në pyllin e kuptimeve” si kapitull i fundit i kësaj përmbledhjeje me poezi. Në këtë kapitull ai i kthehet qenies, nga rrënjët e saj, rrënjë që japin trup dhe kthehen përsëri vetëm në rrënjë. Në këtë qenie ka frikë, natë, vetmi. Si mure në të cilat ndërtohet e përshkallëzohet natyra njerëzore mbi qetësinë si soditje e jetës.
Imer Topanica lundron në ujërat e jetës si njeri, djalë, burrë, baba, e poet, ai përndritët nga pikëllimi që merr ngjyrat e vjeshtës dhe skaj këtyre ngjyrave ai është vazhdimisht në kërkim të Dashnisë si mveshje e Krijuesit dhe afrim për tek Ai. “Oh i Dashtun, si me ia zhba njat lang, e kupën me e mbushë me dashni/ Jetë nuk i thonë kësaj, pa pijen që e gatuen Ti.”
Mes vargjeve me stil shprehes gegë, rrëfimit personal, shpërthimit, humanitetit, filozofisë, motiveve universale konkrete dhe abstrakte, rimarrjeve, tematikave shumëngjyrëshe dhe në rastin me të shpeshtë pa rimë plot simbole, metafora e krahasime Topanica është në kërkim të mjaftushmërisë së qenies, ai e gjen atë tek Zoti si Dashni, por konsideron që vargshkrimi i tij është diskurs i pamjaftueshëm për ta shpalos Përsosmërinë e Atij.
Dhe së fundi figurën e tij prej njeriu e poeti e shpërfaq si epilog në poezinë “Bit Poezi”, për të ja dhënë lexuesit një pasqyrë të vetës së tij. Nëse lexuesi ka kureshtje që shkurt të dijë, kush është Imer Topanica, le ta lexojë poezinë “Bit Poezi”, aty e ka përgjigjën të dhënë nga vetë ai./FolDrejt/