Skuadrat e Ligës Premiere të Anglisë u tërhoqën nga ‘Super Liga’ Evropiane të martën duke krijuar pasiguri për të ardhmen e projektit vetëm 48 orë para zyrtarizmit të tij.
Mançester Siti ishte ekipi i parë që u tërhoq, së bashku me Mançester Unajtedi, Liverpuli, Arsenali dhe Totenhem Hotspuri.
Gjashtë skuadrat më të mëdha angleze, së bashku me skuadrat spanjolle të Atletiko Madridit, Barcelonës dhe Real Madrid, si dhe skuadrat italiane të Milanos, Interi dhe Juventusit, njoftuan të dielën se do të krijonin një ligë të re, të shkëputur.
Nuk ka patur ende një konfirmim nga klubet e tjera nëse ato gjithashtu do të tërhiqen nga planet për krijimin e ‘Super Ligës’ evropiane.
Njoftimi për krijimin e Super Ligës u prit me kundërshtime të ashpra.
Kritikët thanë se lëvizja do të shkatërronte strukturën tradicionale të lojës.
Dymbëdhjetë klube të mëdha evropiane, gjashtë nga Britania, tre nga Spanja dhe tre nga Italia të dielën njoftuan planet për krijimin e një gare të re që do të rivalizonte, por jo të zëvendësonte ligat dhe kampionatet ekzistuese.
Arsyeja kryesore për këtë projekt është krijimi i një burimi të ri të ardhurash, tha analisti i financave sportive Borja Garcia.
Banka amerikane J.P. Morgan Chase do të siguronte financat për Super Ligën, dhe secili klub themelues i ligës do të përfitonte nga fondi prej 4.2 miliardë dollarësh.
Kryetari i Super Ligës është presidenti aktual i ekipit spanjoll të Real Madridit.
Planet kishin bashkuar një koalicion të gjerë kundërshtarësh. Një anketë sugjeroi se pothuajse 80 përqind e tifozëve britanikë të futbollit e urrejnë idenë.
Kritikët e kanë etiketuar ‘Super Ligën’ një garë të mbyllur që do të shkatërronte ekipet më të vogla.
“Modeli Evropian i sportit supozohet të jetë pikërisht e kundërta, një model ku e gjithë piramida e futbollit është e lidhur së bashku, kështu që maja e piramidës ka për detyrë të kujdeset për pjesën e poshtme të saj”, thotë eksperti financiar i futbollit, Borja Garcia.
Bashkimi Evropian dhe qeveria britanike thonë se është jetike të ruhet ky model.
“Ne do të shohim gjithçka që mund të bëjmë me autoritetet e futbollit për t’u siguruar që kjo të mos finalizohet në mënyrën siç është propozuar aktualisht”, tha kryeministri britanik Boris Johnson.