Ekipet e Kërkim Shpëtimit të FSK-së e kanë gjetur trupin e pajetë të një personi që ishte zhdukur, njoftoi FSK përmes një postimi në Facebook.
Personin me inicialet N.O, ekipet e Kërkim Shpëtimit e kanë gjetur në fshatin Lupq të poshtëm të komunës së Podujevës.
Ky është njoftimi i plotë për këtë rast nga FSK:
“Ekipet e Kërkim Shpëtimit të FSK-së, gjejnë trupin e pajetë të personit të zhdukur
Pas marrjes së njoftimit nga Qendra e Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për një person të zhdukur, Forca e Sigurisë së Kosovës ka marrë të gjitha masat, duke angazhuar ekipet e Kërkim Shpëtimit malor, ujor dhe K9 të Gardës Kombëtare, të cilat kanë punuar në koordinim me Policinë e Kosovës, gjithashtu të angazhuar në këtë operacion kërkimi kanë qenë një numër i madh i vullnetarëve.
Pas kërkimeve intensive sot ekipet e Kërkim Shpëtimit ujor të FSK-së, kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë të personit të zhdukur me inicialet N.O, në zonën në afërsi të lumit llap në fshatin Lupq i poshtëm i komunës së Podujevës.
Pas evakuimit të viktimës trupi i pajetë i është dorëzuar Mjekësisë Ligjore dhe Policisë së Kosovës për procedurat e mëtejme”, thuhet në njoftim, përcjell Fol Drejt.