Lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe marrëdhëniet e qeverisë Kurti me SHBA-të ka reaguar edhe eksperti i Evropës Juglindore në Këshillin Gjerman për Politikë të Jashtme me qendër në Berlin, Milan Nic.
Përmes një postimi në twitter, Nic është shprehur se SHBA-të këtë herë janë mërzitur me kryeministrin Kurti.
““Pasi luajti një rol vendimtar në shtyrjen e Serbisë për të pranuar kartat e identitetit të Kosovës në gusht (duke mbështetur lëvizjen e rrezikshme të kryeministrit të Kosovës), këtë herë diplomacia e SHBA-së qartësisht është mërzitur me Albin Kurtin”.
“Ai arriti të prishë një përpjekje të koordinuar BE-SHBA për të nxitur të dyja palët drejt një marrëveshjeje normalizimi”, është shprehur Nic në twitter.
Sipas tij, kryeministri Kurti humbet momentumin diplomatic dhe besimin e aleatëve kryesorë, teksa e ka quajtur këtë veprim jo të zgjuar dhe shkurtpamës.
“Më kujton Haradinajn (duke i qëndruar shumë gjatë prapa taksës 100%, duke humbur kohë për avancimin ndërkombëtar të Kosovës)”, ka thënë Nic.
“Albin Kurti është një person që rrezikon. Tani rrezikon një kthim të madh prapa për Kosovën në një moment suksesi të heshtur ndërsa po fitonte terren të ri. Si një mik i Kosovës, filloj të pyes veten nëse ky kryeministër është në gjendje të pranojë përparim në rritje, përfitime strategjike ose më tepër ka nevojë për përplasje të mëdha dhe përçarje”, ka shtuar ai tutje./FolDrejt/