Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se me urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake është lëshuar fletarrest dhe urdhër për transferim për Haxhi Shalën, i njohur si “Topi”.
Sipas njoftimit zyrtar, ZPS thotë se Shala dyshohet për veprime kundër administrimit të drejtësisë.
“Ai është transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës pa vonesa të panevojshme”, thuhet në njoftim.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”, thuhet tutje aty.
“Është shumë e rëndësishme që të garantohet që qytetarët e Kosovës të flasin për të thënë të vërtetën dhe pa kërcënime për përvojat e tyre, jo vetëm që ky institucion të jetë i aftë të japë drejtësi por edhe për sundimin e ligjit në Kosovë,” citohet të ketë thënë Kimberly West, prokurore e Specializuar.
“ZPS-ja do të vazhdojë të bëjë çdo gjë brenda fuqive të saj për të mbrojtur viktimat e dëshmitarët dhe për të vënë para përgjegjësisë ata që shkelin ligjet e Kosovës për interesat e tyre private”, vijon më tej West.