Vazhdojnë kërkimet për nëndetësen e zhdukur në Atlantik, në të cilën ndodheshin pesë turistë dhe e cila para humbjes së sinjalit po lëvizte drejt rrënojave të Titanikut. Sipas informacioneve të fundit, pasagjerët në nëndetëse kanë ajër edhe për 40 orë të tjera, raporton Klix, përcjell Fol Drejt.
Gjegjësisht, zyrtarë të Rojës Bregdetare, e cila është në kërkim të nëndetëses që prej zhdukjes së saj, thonë se ekuipazhit të nëndetëses së zhdukur Titan i kanë mbetur rreth 40 orë ajër për të marrë frymë.
Kapiteni Jamie Frederick foli me gazetarët në Boston gjatë ditës së tretë të kërkimit për nëndetësen dhe pesë anëtarët e ekuipazhit që u zhdukën të dielën gjatë një turneu në rrënojat e Titanikut, në fund të Oqeanit Atlantik.
“Nga të dhënat që kemi përdorur si pikënisje, ne e dimë se ajri i tyre i disponueshëm ishte 96 orë. Ne e dimë se kemi afërsisht 40, 41 orë në këtë pikë,” tha Frederick.
Ai theksoi se operacioni “kompleks” i kërkim-shpëtimit, i cili deri më tani ka mbuluar 7600 milje katrore dhe ka përfshirë avionë dhe anije nga Rojet Bregdetare dhe Marina e SHBA-së, si dhe burimet ushtarake kanadeze, deri më tani ka qenë i pasuksesshëm.
Ai po ashtu tha se moti sot është përmirësuar, gjë që lehtëson kërkimin nga ajri dhe dukshmëria është shumë më e mirë se dje për shkak të lehtësimit të mjegullës. /FolDrejt/