Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë mesditën e sotme. Në zonën e Selitës sot është ekzekutuar me tre plumba, Arben Bilali ish-punonjës policie.
Ai është transportuar me urgjencë për në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë. Arben Bilali ishte banor i zonës së Selitës dhe ngjarja ka ndodhur pak metra larg banesës së tij teksa ai ishte duke ecur në këmbë. Arben Bilali ka qenë punonjës policie te komisariati nr.2 në kryeqytet dhe pjesë e repartit të FNSH-së, detyra nga të cilat është larguar disa vite më parë.
Bilali është qëlluar nga një makinë tip Benz me ngjyrë të zezë dhe targa të huaja.
Pista kryesore e kësaj vrasjeje mbetet ajo e hakmarrjes. Bilali ishte pjesë e një familjeje, që prej vitesh janë në një hasmëri me një tjetër fis në “Yzberish” të Tiranës, e prej këtij konflikti numërohen disa të vrarë nga të dyja familjet.
Kjo nuk është vrasja e parë në këtë familje. Pas vrasjes së dy vëllezërve, Bujar Bilali në vitin 1997 dhe Leonard Bilali në 2010-ën, mesditën e sotme u ekzekutua edhe vëllai i tretë Arben Bilali.