Elon Musk, pronar i SpaceX dhe Twitter, mbështeti liderin e shumicës republikane, Kevin McCarthy, në garën për kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA.
Në postimin e tij në Twitter, Musk tregoi qartë mbështetjen e tij për kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve duke theksuar: “Kevin McCarthy duhet të jetë kryetar”, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Elon Musk, në një postim tjetër pyeti, “Nëse jo McCarthy, seriozisht kush?”.
Musk gjithashtu organizoi një sondazh dhe e hapi atë për vlerësimin e ndjekësve të tij nëse ai duhet të hyjë në çështje politike.
Në sondazhin, i cili kishte më shumë se 595 mijë pjesëmarrës brenda disa orësh, 57,2 për qind e pjesëmarrësve votuan që pronari i Twitter të angazhohej në politikë, ndërsa 42,8 për qind thanë, “Elon Musk duhet të qëndrojë larg politikës”.
– Ai kishte treguar më parë anën e tij politike
I pyetur në nëntor nëse ai do të mbështeste Guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, nëse ai kandidonte për Partinë Republikane, Elon Musk u përgjigj: “Po”.
Një ditë para zgjedhjeve afatmesme të 8 nëntorit në SHBA, Musk u bëri thirrje votuesve të votojnë për Republikanët.
CEO i Twitter dihet se ka marrë pjesë në një ngjarje për mbledhjen e fondeve të organizuar nga McCarthy në Wyoming në gusht 2022 dhe ka biseduar me udhëheqësin e shumicës republikane.
Në nëntor, McCarthy akuzoi Shtëpinë e Bardhë se kishte vënë në shënjestër Elon Musk për pikëpamjet e tij politike, duke thënë: “A do të ndjekë administrata dikë që dëshiron lirinë e fjalës?”./FolDrejt/