Kriptovaluta dixhitale më e fuqishme e botës, bitcoin, ishte në rënie të lirë në fillim të javës, pak pasi miliarderi Elon Musk përmendi në një këmbim mesazhesh në rrjetin Twitter se kompania e tij, Tesla mund të shesë ose ka shitur, aksionet e saj te rrjeti dixhital valutor.
“Zotëruesit e Bitcoin mund të godasin veten me shuplaka tre-mujorin e ardhshëm kur të mësojnë se Tesla ka hequr qafe zotërimet e saj në #Bitcoin,” shkruante një përdorues me emrin CryptoWhale, duke shtuar: “Me gjithë këtë urrejtje që @elonmusk po merr, edhe unë nuk do t’ia vija fajin”.
Dhe në fakt Musk u përgjigj me thuajse një fjalë të vetme: “Me të vërtetë.”
Kështu që vlera e Bitcoin ra menjëherë me 8.5% në 42,441 dollarë për një monedhë, ne uljen më të rëndë në tre muaj.
Por më vonë kriptovaluta rekuperoi rreth 5% të vlerës së humbur duke arritur në vlerën $45,000 për një monedhë, kur Musk shkroi përsëri, “Tesla nuk ka shitur asnjë bitcoin”.
Në një tjetër lojë të Musk, javën e kaluar ai tha se kompania e tij e makinave elektrike luksoze Tesla, po pezullonte blerjet e automjeteve duke përdorur bitcoin, ‘prej shqetësimeve mjedisore’.
Miliarderi citoi si arsye rritjen e përdorimit të karburanteve fosile për ‘prodhimin’ e bitcoin, kryesisht qymyrit, prej sasisë së madhe të energjisë elektrike që kërkohet për funksionimin dhe “gërrmimin” e monedhës virtuale.
Ndërsa tre muaj më parë Musk, mbështetës i hershëm i kriptovalutave, njoftoi se Tesla ka investuar $1.5 miliardë në monedhen dixhitale bitcoin. Gjithashtu në mars ai njoftoi pranimin e bitcoin për blerjen e makinave të Tesla, kur dhe kriptovaluta pësoi rritjen më të madhe.