Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) filloi procesin e vlerësimit paraprak të ilaçit “Sotrovimab” të zhvilluar për trajtimin e infeksionit që shkakton koronavirusi i ri (COVID-19).
Ilaçi i prodhuar nga kompanitë GlaxoSmithKline dhe Vir Biotechnology është “antitrup monoklonal” dhe është përfshirë në procesin e vlerësimit paraprak në mënyrë që EMA të japë miratimin për përdorimin e shpejtë. Në një deklaratë nga EMA thuhet se ka filluar shqyrtimi i të dhënave të para të arritura nga studimet laboratorike të ilaçit mbi kafshët por se ende është shumë herët për të vendosur rreth balancës dobi-rrezik.
Ekspertët e EMA-s do të vlerësojnë kur të dalin edhe të dhënat e arritura nga studimet klinike lidhur me ilaçin. Procesi i vlerësimit paraprak i ilaçit do të vazhdojë deri kur të arrihet një provë e mjaftueshme që do të mbështesë aplikimin zyrtar për miratimin e tregut që të përdoret tek personat e prekur nga COVID-19 në vendet e BE-së.
Ekziston një proces tjetër i shqyrtimit i cili vazhdon dhe i cili u fillua nga EMA për të këshilluar autoritetet e shëndetësisë kombëtare të vendeve të BE-së të cilat mund të kërkojnë të përdorin Sotrovimab tek të sëmurët. Në shkurt EMA njoftoi se “kokteji i antitrupave” të përdorur në trajtimin e ish-presidentit Donald Trump, mund t‘u jepet të sëmurëve që nuk marrin trajtim shtesë me oksigjen.