Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në takimin e 309-të, të mbajtur të enjten, ka zgjedhur gjyqtaren Vera Gashi-Bala dhe gjyqtarin Arben Toska në dhomën e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale.
Mandati i dy gjyqtarëve në Gjykatën Komerciale do të fillojnë nga 1 qershori 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të gjithë anëtarët e Këshillit në mënyrë unanime votuan që dy gjyqtarët e lartcekur ti bashkohen Gjykatës Komerciale.
Kjo pasi paraprakisht, anëtarja Teuta Ibrahimi para anëtarëve të Këshillit paraqiti raportin e Komisionit për Vlerësimin e kandidatëve për gjyqtar të Gjykatës Komerciale.
Ndër të tjera, anëtarja Ibrahimi tha se dy kandidatët e lartcekur janë rekomanduar nga anëtarët e Komisionit për votim në Këshill.
Gjyqtarja Vera Gashi Bala, më herët ka shërbyer si gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prizten- Dega në Suharekë, ndërsa gjyqtari Arben Toska më herët ka shërbyer si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Ferizaj-Dega në Kaçanik.
Ndryshe, me 9 shkurt 2023 ishte shpallur konkursi i brendshëm për tre gjyqtarë të Gjykatës Komerciale, për tri pozita të dhomës së shkallës së parë të kësaj gjykate.
Në këtë takim KGJK ka bërë Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores Nr. 04/2022 për Procedurën e Rekrutimit, Përzgjedhjes dhe Themelimin e Marrëdhënies së Punës për Administratorë të Gjykatave dhe njëherësh ka rishpallur konkurset për administratorë të gjykatave në Gjykatën Themelore në Prizren dhe në Gjykatën Komerciale.
Po ashtu si pikë tjetër e rendit të ditës ka qenë edhe shqyrtimi i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në SKGJK për pensionim të gjyqtarëve Latif Xhemajli, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe Myfera Hoxha
Të njëjtit do ti propozohen presidentes për lirim nga detyra për shkak të arritjes së moshës së pensionimit.
Tutje, KGJK ka bërë shqyrtimin e kërkesës së Odës së Stomatologëve të Kosovës për delegimin e një anëtari dhe zëvendësit të tij në Gjyqin e Nderit të OSK-së, ku janë propozuar gjyqtarët Huniada Pasuli dhe Artan Abazi që të shërbejnë në OSK.
Takimi po vazhdon me prezantimin e raportit të Njësisë për Inspektim Gjyqësor lidhur me shkaqet e parashkrimit të dënimit me burgim, dënimit me gjobë në lëmine penale dhe dënimit me gjobë në fushën e kundërvajtjes./BetimipërDrejtësi/
Shënim: Të gjitha takimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) monitorohen nga “Betimi për Drejtësi”.