Hixhreti (një lloj emigrimi) nuk është ikje e pashpresë nga realiteti sado i hidhur që është. Ai është përkushtim me sinqeritet, angazhim me vetëdije dhe sakrificë e përzemërt që kulmon me mbështetjen e plotë në Allahun e plotfuqishëm pasiqë të jemi shkarkuar nga përgjegjësia me marrjen e të gjitha masave të mundshme njerëzore që projekti të ketë sukses.
Hixhreti, në të vërtetë, është arratisje fizike nga formalja, duke mos hequr dorë nga esenca. Është zhvendosje nga pozicioni duke mos hequr dorë nga identiteti dhe besimi, është ikje e përkohshme në një strehë të sigurtë që garanton ruajtjen e identitetit dhe vazhdimësinë e kauzës. Është shmangie për disa hapa nga përplasja e dhimbshme dhe e dëmshme me qëllim të gjetjes së zgjidhjes gjetiu, duke mos insistuar në lidhjen gjeografike, e gjithë kjo për shkak të dashurisë për idenë, (at)dheun dhe njeriun. Pra, është ikje nga atdheu për shkak të dashurisë për të dhe është distancim i përkohshëm nga bashkëvendasit për shkak të dashamirësisë për ta.
Hixhreti është njohje e vetvetes dhe përgjegjësive vetanake. Është përgjegjshmëri për kryerjen e çdo detyre të mundshme, sado i lartë të jetë çmimi. Është vetëdije për çdo obligim e detyrë, për çdo borxh që e kemi ndaj kujtdo. Është motivim për të rritur intensitetin e angazhimit edhe atëherë kur rrethanat vështirësohen. Është kultivim i shkathtësisë për të kërkuar zgjidhje duke shfrytëzuar çdo potencial.
Hixhreti është aftësi për të kërkuar ndihmën e Allahut duke pranuar pafuqinë dhe nevojën njerëzore. Është forcim i bindjes se nëse në një udhëkryq ndahen rrugët e rehatisë së kësaj bote dhe fuqizimit të idesë, i jipet përparësi kësaj të dytës. Kjo, pastaj bën të paluhatshëm besimin se ai, me të cilin është Allahu, nuk duhet të pikëllohet edhe nëse situata i duket e pashpresë.
Hixhreti ishte dhe mbetet motivim për besimtarin që kurrë të mos heqë dorë nga përpjekja për të gjetur zgjidhje dhe rrugëdalje. Ai, si parim dhe veprim njerëzor, nuk mbaron kurrë, por manifestohet në forma të ndryshme, ndërsa më sublimja është: TË HEQËSH DORË NGA E KEQJA DHE TA BRAKTISËSH TË LIGËN.