Shkolla fillore në Kishnapolë të Gjilanit ka më shumë se 55 vite që është emëruar me emrin “Afërdita” dhe do të vazhdojë edhe më tutje ngase e ka gjetur epilogun përfundimtar. Iniciativa e juristes Xhezide Selimi, e cila i ka dorëzuar rreth 300 nënshkrime të banorëve të fshatit në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan për të mos u ndërruar emërtimi, ka bërë që shkollës t’i mbetet emri historik “Afërdita”.
Shkruan: Gëzim Olluri – Fol Drejt
Në Kishnapolë, pas 55 vitesh ka pasë tentativa t’i zëvendësohet emri i shkollës “Afërdita” me figurën e dëshmorit, Nijazi Osmani. Kjo nismë kishte filluar nga kryetarit i fshatit, Ibrahim Spahiu, si dhe drejtori i shkollës. Nga ana tjetër, kishte zëra të shumtë në fshat që ishin kundër zëvendësimit të emrit që në vete bartë peshë historike.
Zërin për mos ndërrimin e emrit të shkollës e kishte ngritur juristja Xhezide Selimi. Aktivitetit të saj i janë bashkuar edhe banorët e fshatit Kishnapolë. Ajo kohë më parë kishte ofruar alternativa rreth kësaj dileme. Fillimisht ka propozuar që biblioteka shkollore të emërohet me emrin e dëshmorit, Nijazi Osmani, e shkollës t’i mbetet emri historik. Kjo si një baraspeshë respekti ndaj dëshmorit fillimisht e pastaj ndaj emrit historik të një gruaje shqiptare.
“Më 9 mars në këtë shkollë unë dhurova libra dhe lektyra për nxënësit e shkollës. Në takim me drejtorin biseduam edhe për çështjen e emrit. Aty folëm që do ta themelojmë bibliotekën e shkollës dhe ta emërojmë me emrin e dëshmorit nga fshati Gadish, Nijazi Osmanit. Ndërsa, shkollës të mos i ndërrohet emri. Drejtori na premtoi këtë gjë. Pastaj, drejtori ka marrë iniciativë në vete për ta ndërruar emrin e shkollës”.
Në vijim, Selimi i ka dorëzuar në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan rreth 300 nënshkrime të banorëve të Kishnapolit, të cilët kanë qenë kundër ndërrimit të emërtimit. Duke parë këtë iniciativë, institucionet lokale nuk e kanë inicuar tutje procedurën dhe emërtimi 55 vjeçar do t’i mbetet shkollës ashtu siç ka qenë. Selimi për “Fol Drejt” e ka sqaruar në hollësi dilemën rreth kërkesës së saj.
“Në momentin që e kam parë që shkollës ju ka ndërru pllaka, e kam vërejtur që është nismë joligjore dhe se banorët ishin kundër. Unë i mblodha nënshkrimet e rreth 300 banorëve e bashkë me banorët e Kishnapolës ia dërguam drejtoreshës së arsimit, Albana Demiri. Ajo nuk kishte inicuar procedurë tutje në Ministrinë e Arsimit e as nuk kishte propozuar për ndërrim të emrit, pasi ka parë pakënaqësinë e banorëve, duke bërë gjënë e duhur dhe duke e lënë Afërditën aty ku duhej të ishte. Më nuk mund të thuhet se Afërdita është e panjohura sepse dhjetra e qindra vajza e gra nga Malësia e Zhegovcit janë emëruar në emër te shkollës e sot shkolla mban dhe emrin e tyre – Afërdita”.
Selimi kishte thënë se nuk ka asgjë kundër figurës së Nijazi Osmanit, por shtronte pyetje se kë po e pengonte emri i një gruaje.
“Një gjë dua ta sqaroj, para veprës së dëshmorit, Nijazi Osmani, si dhe secilit që dha gjithçka për këtë vend, përulem jetësisht. Nuk kam dhe nuk do të kem asgjë kundër, por çështja është se kënd dhe pse e pengoj emri i një gruaje në këtë shkollë, këtë nuk mundem me kuptu”, kishte shkruar Selimi.
Ishte viti 1968 kur shkolla fillore në Kishnapolë të Gjilanit ishte emëruar me emrin e një gruaje shqiptare. Emërtimi ishte bërë nga banorët e Kishnapolës pavarësisht pengesave nga regjimi serb gjatë okupimit atë kohë. Emërtimi i shkollës u quajtë “Afërdita”. Derisa shkolla ka bartur këtë emër gjatë periudhave të stuhishme historike që i kanë përcjellë shqiptarët, aty janë shkolluar, arsimuar e brumosur mijëra nxënës e dhjetëra gjenerata.