Zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë nuk kanë ende informacione se kur pritet të mbërrijnë dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit në Kosovë.
Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave pranë OBSH-së në Kosovë.
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, tha të martën se Komiteti për Imunizim dhe institucionet përkatëse janë duke i kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme, që sapo të arrijë kontingjenti i parë i vaksinave përmes programit COVAX, të fillojë vaksinimi i qytetarëve.
Vaksina e parë që pritet të arrijë në Kosovë është ajo e kompanisë britanike/suedeze AstraZeneca, e krijuar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit.
Përdorimi i kësaj vaksine është pezulluar në disa vende të Evropës dhe të tjera, pas raporteve se ajo shkakton mpiksje gjaku.
“Kosova ende nuk ka marrë asnjë dozë dhe mund të presë 2-3 ditë konkluzat e Agjencisë Evropiane të Barnave”, ka thënë Mikrobiologu kosovar, Lul Raka.
Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka nisur ende vaksinimin kundër koronavirusit.