Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paralajmëruar krizë edhe më të thellë sa i përket energjisë elektrike muajt në vijim, teksa thonë se ende Kosova nuk është në pikun e këtij problemi.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se këtë krizë e kanë paralajmëruar muaj më parë, por që sipas tij, kjo është neglizhuar nga Qeveria e Kosovës. Ai thotë se të njëjtën krizë nuk e kanë shtet fqinje, për të cilat thotë se kanë ndërmarrë veprime me kohë.
“Krizën Energjetike si Parti Demokratike e Kosovës e kemi paralajmëruar tash e tre muaj dhe jo që kemi qenë të vetmit që e kemi ditur që do të ballafaqohemi por kemi qenë të shqetësuar herët. Për herë të parë kemi lëshuar komunikatë për çështjen e energjisë dhe për çështjen e gaz-përçuesit më 29 shtator, ndërsa më 9 tetor në mënyrë konkrete kemi paralajmëruar problemet të cilat tash po jetojmë, sepse kanë qenë evidente që do të ndodhin, kemi dhënë rekomandimet tona në vazhdimësi se çka duhet të ndërmarrë Qeveria, por që për fat të keq ishte komplet neglizhente. Më vjen keq që sot po përballemi me këtë krizë, por ajo që më vjen më shumë keq është që nuk jemi as në pikun e krizës. Potenciali për t’u përkeqësuar gjërat është shumë i madh, ndërsa vëmendja e Qeverisë është shumë e vogël”, tha Krasniqi.
“Është evidente që kriza e ka goditur gjithë rajonin dhe Evropën, por shtetet që kanë ndërmarrë masa me kohë, së paku nga muaji shtator dhe tetor kanë ndërmarrë veprime dhe shembull në fqinjësinë tonë e kemi Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut, ku nuk po ballafaqohen me telashe sikurse ne, atje nuk ka reduktime të energjisë elektrike, ndërsa tek ne ato po vazhdojnë dhe po përkeqësohen edhe më shumë”, ka shtuar Krasniqi, teksa ka shtuar se kritika e tij nuk është për krizën, por përgjegjësinë për mungesë të zgjidhjes.
I pari i PDK-së thekson se reduktimet e energjisë ta kenë një bazë legale.
“Gjendjen emergjente të cilën e ka shpallur para pak ditësh ka qenë rekomandim i PDK-së së paku 15 ditë më herët, sepse është dashur që edhe reduktimet e energjisë ta kenë një bazë legale, por edhe t’i jepet një sërë mundësi dhe lehtësira Qeverisë që ta trajtojë krizën në mënyrën e duhur. Çka është dashur të bëhet, është dashur të na dëgjojnë se çka kemi thënë në fillim të tetorit, që Qeveria të ndihmonte instancat përkatëse për të hyrë në kontrata afatgjate me çmimet e asaj kohe të cilat edhe atëherë kanë qenë të rritura krahasuara me vitin 2020, pra është dashur që kontrata të bëhen në atë kohë, të ketë një siguri në furnizim për sasi të përcaktuara dhe do të kishim mundësi që t’i paguanim me çmim dy apo tre fish me të mëdha, por jo siç po ndodh kur ka pasur raste që është paguar pesë fish më shtrenjtë sesa në vitin 2020″, ka theksuar ai për EkonomiaOnline.
Paralajmërimet e PDK-së për një “Qeveri nën hije”, e sheh si reflektim i asaj sesi do duhej të ishte Qeveria e Kosovës. Për këtë iniciativë ai thotë se janë duke punuar ekipet për ta finalizuar konceptin.
“Është një nga projektet dhe objektivat e mia kryesore edhe në kuptimin e reformës dhe riorganizimit të PDK-së. Nuk është diçka e re, sepse PDK-ja kabinetin për qeverisje të mirë si model i Qeverisë në hije e ka konstituuar për herë të parë në vitin 2005-2007, kur në kohën ishim në opozitë, edhe jam duke punuar bashkë me kolegët e ekipet tona në finalizimin e konceptit me të cilin do të dalim para opinionit publik sepse ta keni parasysh, koncepti i kabinetit e ka qeverisjen së mirë dhe reforma e organizimit të tij do të jetë reflektim i asaj sesi e shohim ne Qeverinë dhe si besojmë se duhet të jetë Qeveria e Kosovës, dhe deri në fund të muajit shkurt, ne do të jemi në përfundim të këtij projekti”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa, mundësitë që vendi të shkojë në zgjedhje këtë vit, Krasniqi sheh të pamundur, për shkak të numrave që i ka Lëvizja Vetëvendosje në Kuvend.
“Një gjë duhet ta dini, opozita mirë apo keq nuk e ka mundësinë ta dërgojë vendin në zgjedhje për shkak të numrave që i ka në Kuvend, pra është vetë kryeministri dhe partia ata që mund ta dërgojnë vendin në zgjedhje dhe deshëm apo jo është irelevante. Ajo që është e nevojshme sot është ndryshimi i kursit dhe mentalitetit Qeverisës sepse kryeministri e ka marrë mandatin e qytetarëve të fuqishëm, ka një mbështetje të madhe dhe ka dominim të plotë në Kuvend për sa i përket deputetëve, dhe unë besoj se ai duhet të merret me Qeverinë dhe me qeverisje, dhe duhet vërtetë që të fillojë t’i përmbush realizimet sepse për fat të keq në vitin e parë të qeverisjes së dytë, nuk ka njëri në Kosovë që mund t’i bind tri punë të mëdha që i ka përfunduar kryeministri Kurti”, ka përfunduar ai.
Kreu i PDK-së ka thënë se bashkëpunimi i tyre me partitë tjera opozitare është parimore, teksa shton se nuk kanë krijuar ende ndonjë front të përbashkët opozitarë. /Telegrafi/