Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar pas aksionit të sotëm të policisë, në rastin e Kompanisë së Pastrimit “Ambienti” në Pejë, shkruan Fol Drejt.
Në një reagim në llogarinë e tij në Facebook, Sveçla ka shkruar se “epoka e tolerimit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe pasurimit në kurriz të qytetarëve ka përfunduar”.
Ky është postimi i tij i plotë:
Epoka e tolerimit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe pasurimit në kurriz të qytetarëve ka përfunduar.
Njësiti policor kundër krimeve ekonomike sot ka zhvilluar operacion në Kompaninë e Pastrimit “Ambienti” në Pejë. Bordi i kësaj ndërmarrje publike dhe zyrtarë të tjerë, 7 nga të cilët tashmë ndodhen në paraburgim, janë subjekt i hetimit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe si çdo kush tjetër, do të japin llogari para drejtësisë për çdo keqpërdorim dhe dëm të shkaktuar.
Vendi ynë nuk do të jetë më zonë e rehatisë për asnjë individ apo grup që cënon jetën dhe mirëqenien e qytetarëve tanë e sigurinë e vendit tonë. Secili kryes i çdo lloj aktiviteti ilegal do të ballafaqohet me drejtësinë.