Mediat në Shqipëri kanë raportuar se vendi, aktualisht, është duke u përballur me disa vatra zjarri, transmeton Fol Drejt.
Sipas TvKlan 5 vatra aktive zjarri janë regjistruar ditën e sotme në të gjithë Shqipërinë, në fshatrat Peshtan, Kraps, Gjorgjoz dhe Hekal. Era e fortë përhapi zjarrin duke rrezikuar banesat në zonën e Krapsit, por falë ndërhyrjeve të mjeteve zjarrfikëse janë neutralizuar në kohë.
Një shqetësim më vete për banorët dhe punonjësit zjarrfikës janë edhe shpërthimi i municioneve të armëve të grabitura nga depot në trazirat e vitit 1997 dhe të fshehura në këtë zonë. Ata janë konstatuar fare pranë rrugës Fier-Cakran.
Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 144 efektivë të Forcave të Armatosura, 13 mjete dhe 3 zjarrfikëse.
Gjatë ditës u mundësua ndërhyrja e helikopterit Cougar në pyllin me pisha në fshatin Gjorgoz, pasi ndërhyrja me mjete dhe forca nga terreni ishte e pamundur.
Gjithashtu po punohet për kapsulimin e vatrave në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në Vlorë.
Në fshatin Buz, në bashkinë Memaliaj po vijon puna nga terreni për izolimin e vatrës së zjarrit. Sakaq është bërë i mundur shuarja e vatrës së zjarrit në fshatin Skrevan në Dimal dhe aktualisht ka vetëm prezencë tymi.
Për autoritetet situata është nën kontroll dhe zjarri po shkon drejt izolimit të plotë në malin e Gjallicës në Kukës, raporton Tv Klan, përcjell Fol Drejt.