Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka dënuar sulmin ndaj punonjësve të Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në një restorant në Erbil të Irakut, nga i cili jetën humbi një diplomat turk.
“Dënoj sulmin e neveritshëm ndaj stafit tonë të konsullatës. Lus Allahun ta mëshirojë punonjësin tonë të rënë dëshmor”, tha Erdoğan në një postim në rrjetin social Twitter.
“Jemi duke i vazhduar iniciativat me autoritetet irakiane dhe zyrtarët lokale për gjetjen sa më parë të autorëve të sulmit”, ka shtuar presidenti turk.
Ndryshe, diplomatët e konsullatës turke në Erbil ishin shënjëstër e një sulmi në restorantin ku kishin shkuar për të drekuar.
Sipas policisë së Erbilit, përveç një diplomati të Turqisë, jetën ka humbur edhe një shtetas irakian, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.
Pronari i restorantit më herët deklaroi për median lokale se agresori me rroba civile dhe me dy armë në duar ka hapur zjarr drejtpërdrejt në stafin e konsullatës pas hyrjes në lokal.
Siç bëhet e ditur, të gjitha rrugët që mundësojnë kalimin nga Erbili në qytete të tjera janë mbyllur për trafikun.