Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin u takuan dje në Moskë, vetëm pak ditë pas një përplasjeje midis Ankarasë dhe Uashingtonit rreth planeve të Turqisë për të blerë sistemin e mbrojtjes raketore nga Rusia.
Turqia është anëtare e NATO-s dhe marrëdhëniet e kësaj të fundit me Rusinë kanë qenë historikisht të tensionuara. Por, Moska dhe Ankaraja kanë krijuar lidhje të fuqishme ekonomike që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.
“Dy vendet duhet të forcojnë bashkëpunimin në sferën ushtarake-teknike”, i tha Putin-Erdoganit gjatë takimit në Kremlin.
“Kjo përfshin para së gjithash përfundimin e kontratës për furnizimin e Turqisë me sistemin raketor S-400.
Ka edhe projekte të tjera premtuese në rend të ditës, në lidhje me furnizimin e Turqisë me produkte moderne ushtarake të Rusisë”, shtoi ai.
Uashingtoni ka kërkuar nga Ankaraja që të anulojë marrëveshjen raketore me Rusinë, duke thënë se sistemi S-400 paraqet kërcënim për avionët amerikanë.
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence deklaroi se Turqia, ose duhet të jetë anëtare e rëndësishme e NATO-s, ose rrezikon sigurinë e këtij partneriteti, duke marrë vendime të tilla të pamatura.
Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë javën e kaluar se Ankaraja mund të përballet me sanksione nga SHBA-ja nëse blen sistemin S-400.
Pavarësisht këtyre paralajmërimeve, Erdogan ka thënë të premten se furnizimet me sistemin S-400 do të nisin në korrik.