Presidenti i Turqisë, Recep Tajip Erdogan do të vizitojë Ukrainën të enjten për bisedime me presidentin Volodymry Zelenskiy, që synojnë të zbutin tensionet midis Kievit dhe Rusisë, tha të hënën një zyrtar i lartë turk.
“Erdogan do t’i përcjellë mesazhe Zelenskiy për ruajtjen e paqes në rajon dhe parandalimin e rritjes së tensionit dhe konfliktit të armatosur”, tha zyrtari.
Ai tha se po bëhen gjithashtu plane që presidenti rus Vladimir Putin të vizitojë Turqinë pas Lojërave Olimpike Dimërore, që do të mbahen në Kinë midis 4 dhe 20 shkurtit.
“Ne presim që të dyja bisedimet të jenë efektive në uljen e tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës,” tha zyrtari, duke kërkuar anonimitet, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Javën e kaluar, Erdogan tha se nëse Rusia do të sulmonte Ukrainën, Turqia do të bënte atë që është e nevojshme si një anëtare e NATO-s.
Ankaraja ka lidhje të mira me Kievin dhe Moskën, por kundërshton politikat ruse në Siri dhe Libi, si dhe aneksimin e gadishullit të Krimesë në vitin 2014.
Ndërsa forcon bashkëpunimin me Rusinë për mbrojtjen dhe energjinë, Ankaraja i ka shitur gjithashtu Ukrainës drone të sofistikuar.