Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan akuzoi sot Armeninë si përgjegjëse për përsëritjen e përleshjeve me Azerbajxhanin , të cilat kanë marrë jetën e më shumë se 150 personave.
“Ne e konsiderojmë të papranueshme këtë situatë, e cila është rezultat i shkeljes së marrëveshjes së arritur pas luftës” të vitit 2020 midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, tha kreu i shtetit turk në një fjalim, shkruan protothema, transmeton Fol Drejt.
Erdogan denoncoi “qëndrimin vazhdimisht agresiv të Armenisë”, të cilën ai e akuzon për “mos respektimin e kushteve të marrëveshjes” të paqes të përfunduar nën kujdesin e Rusisë në atë kohë .
“Ne shpresojmë që Armenia do të braktisë këtë rrugë të gabuar sa më shpejt të jetë e mundur dhe do të përdorë kohën dhe energjinë e saj për të forcuar paqen,” vazhdoi ai, duke argumentuar se përndryshe “ky qëndrim do të ketë pasoja për Armeninë”.
“E gjithë bota duhet ta dijë se ne jemi në anën e vëllezërve tanë azerbajxhanë”, këmbënguli Erdogan, i cili do të takojë presidentin rus Vladimir Putin pasnesër, të premten, në Samarkand.
Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu kishte deklaruar tashmë dje, të martën, se Armenia duhet të “ndalojë provokimet e saj” kundër Azerbajxhanit./FolDrejt/