Gjatë operacionit antiterrorist të Turqisë në veri të Sirisë është pastruar një sipërfaqe prej rreth 1.000 kilometash katrorë nga terroristët, njoftoi presidenti Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).
“Deri në mëngjesin e sotëm, kemi çliruar një sipërfaqe prej 1.000 kilometrash katrorë nga okupimi i organizatës terroriste separatiste”, tha Erdoğan në fjalën e tij në Samitin e Shtatë të Këshillit të Bashkëpunimit të Vendeve Turkofone (Këshilli Turk) në Baku të Azerbajxhanit.
“Do të luftojmë deri sa veriu i Sirisë të lulëzojë përsëri me burimet e paqes, deri sa t’i arrijmë synimet tona”, shtoi presidenti i Turqisë.
Ai po ashtu tha se Turqia së shpejti do ta shndërrojë në zonë të sigurt rajonin nga Munbixhi deri në kufirin me Irakun dhe do të sigurojë që “në fazën e parë të kthehen me dëshirë të vet një milion refugjatë sirianë, kurse më pas dy milionë”.
Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eleminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.
Ankaraja synon ta pastrojë rajonin në lindje të lumit Eufrat nga terroristët e PKK-së dhe dega e saj siriane, PYD/YPG.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.