Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka kërcënuar Europën me hapjen e portave për refugjatët, në rast se nuk merr mbështetje për krijimin e një zone të sigurtë në Sirinë Veriore, shkruajnë mediat turke, përcjell foldrejt.com.
Duke folur të enjten përpara asamblesë së partisë AKP, ku po shqyrtohet edhe largimi i ish kryeministrit Ahmet Davutoglu, Erdogan dha edhe afat.
“Qëllimi ynë është që në zonën e sigurtë siriane të transferohen një milion refugjatë. Momentalisht Turqia strehon 3.6 milion refugjatë dhe nuk ka marrë ndihmën e nevojshme nga BE.”
Me këtë, vijoi Erdogan, “ne jemi të detyruar të hapim portat. Nuk mund të mbajmë vetëm gjithë këtë barrë.”
Sipas Erdoganit deri tani Turqia ka shpenzuar 37 miliardë euro për refugjatët, kurse Bashkimi Europian ka asistuar me vetëm 0.85 miliardë euro.
Dikur kancelarja Angela Merkel thoshte se nuk mbyll kufijtë për refugjatët, pasi në të kundërt “mund të destabilizohej Ballkani”. Tashmë kur Europa është e lodhur nga refugjatët një valë e re refugjatësh vetëm se do tensiononte situatën në kontinentin plak./Foldrejt.com