Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, i dërgoi letër Boris Johnsonit, kryeministrit të Britanisë, ku Turqia sot dërgoi furnizime mjekësore në mbështetje të luftës kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, në letrën që presidenti Erdoğan ia ka dërguar kryeministrit britanik Johnson thuhet:
“I nderuar kryeministër, i dashur mik,
Fillimisht, do të doja të përsëris urimet e mia të sinqerta që procesi juaj i trajtimit të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që t’ju kthehet shëndeti.
Unë e di se Mbretëria e Bashkuar, një partner i rëndësishëm strategjik për vendin tonë, një aleat i fortë dhe një mik i vlefshëm, është për fat të keq një nga vendet evropiane më të prekura nga pandemia COVID-19 që ka përfshirë botën. Në këtë periudhë të vështirë, ju përcjell ngushëllimet e mia në emër të vendit dhe kombit tim për gjithë popullin e Mbretërisë së Bashkuar, veçanërisht familjet dhe të afërmit e atyre që humbën jetën.
Ne ndjekim me kujdes masat e marra nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar kundër pandemisë COVID-19. Në këtë drejtim, u uroj suksese të gjithëve që po bëjnë përpjekje në këtë periudhë sfiduese, në veçanti anëtarëve të qeverisë suaj dhe punonjësve të Sistemit Kombëtar Shëndetësor (NHS), dhe shpresoj që populli miqësor i Mbretërisë së Bashkuar do ta tejkalojë këtë tragjedi me humbje minimale.
Mbretëria e Bashkuar, me të cilën kemi marrëdhënie të shkëlqyera gati në çdo fushë dhe e cila është një nga partnerët e domosdoshëm për Turqinë, ka treguar solidaritet me vendin tonë shumë herë në raste të ndryshme. Së fundmi, vizita zyrtare e sekretarit tuaj të Jashtëm, z. Dominic Raab, më 3 mars 2020, si dhe ajo e sekretarit të Mbrojtjes, z. Ben Wallace, dhe e të dërguarit për Tregti me Turqinë, Lord Robin Janvrin, më 12-13 mars 2020, janë manifestimet më të mira të kësaj.
Andaj, ne sot, për të treguar solidaritet me Mbretërinë e Bashkuar si mik dhe aleat që po kalon një periudhë të vështirë, po mundësojmë transferimin e pajisjeve për ndihmë ndihma mjekësore me një aeroplan të Forcës Ajrore.
Ju uroj edhe një herë shërim të shpejt në luftën kundër kësaj pandemie. Pasi ta lëmë pas këtë periudhe sfiduese që po e përjetojmë globalisht, dua të theksoj se dëshirojmë t’ju mirëpresim në vendin tonë, që është edhe vendi i gjyshërve tuaj, në mënyrë që ta kurorëzojmë komunikimin e sinqertë dhe intensiv që e kemi mbajtur që nga dita kur morët detyrën dhe të vendosim për hapat që do të ndërmarrim për ta çuar bashkëpunimin tonë dypalësh edhe më përpara në periudhën pas Brexitit”.
Ndryshe, krahas Britanisë sot, Turqia ditëve të fundit i ka dërguar pajisje mjekësore edhe Italisë dhe Spanjës, dy nga vendet më të prekura në Evropë nga virusi, si dhe pesë vendeve të Ballkanit, përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, në mbështetje të luftës kundër pandemisë.