Çavuşoğlu foli edhe për çështjen e industrisë së mbrojtjes ku ai tha se Turqia prodhon mbi 70 për qind të nevojës së saj për industrinë e mbrojtjes
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, lidhur me bisedat e zhvilluara gjatë Samitit të Jashtëzakonshëm të NATO-s mes presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe liderëve të Francës dhe Italisë, vuri në dukje se u fokusuan mbi sistemin e mbrojtjes ajrore SAMP-T të zhvilluar nga Konzorciumi Eurosam nën partneritetin e Francës dhe Italisë, shkruan AA.
Ministri Çavuşoğlu iu përgjigj pyetjeve lidhur me rendin e ditës në seancën “Newsmaker” të Forumit “Doha 2022” i cili zhvillohet në kryeqytetin e Katarit, Doha.
Në pyetjen nëse ndodhet në tryezë çështja e blerjes nga Turqia të gjeneratës së ardhshme të sistemeve të mbrojtjes ajrore S-400, Çavuşoğlu tha se ata e kanë blerë S-400 dhe se marrëveshja është përfunduar.
Ai theksoi se nuk reflektojnë të vërtetën lajmet e paraqitura në median e SHBA-së që “Turqia t’i japë Ukrainës sistemin S-400”. Çavuşoğlu tha se “Në mënyrë kategorike kjo nuk është në tryezë. Ne nuk e kemi vlerësuar këtë në asnjë mënyrë”.
“Turqia preferonte që sistemet si S-400 t’i blinte nga SHBA-ja dhe aleatët. Por, nëse nuk mundëm t’i blinim nga andej, atëherë duhej që t‘i gjenim nga një burim tjetër”, tha Çavuşoğlu.
Duke tërhequr vëmendjen se varësia e Turqisë për gazin rus para 4 vitesh ishte 51 për qind dhe se tani është nën 40 për qind, Çavuşoğlu theksoi se kanë shumë punime për gjetjen e burimeve të reja dhe diversifikimin e tyre dhe se në situatën aktuale kanë bërë investime në energjinë e rinovueshme.
Çavuşoğlu foli edhe për çështjen e industrisë së mbrojtjes ku ai tha se Turqia prodhon mbi 70 për qind të nevojës së saj për industrinë e mbrojtjes.
Ai potencoi se po punojnë mbi sistemin e mbrojtjes ajrore dhe se në këtë proces po shqyrtojnë alternativa të ndryshme për të plotësuar nevojën për sistemin e mbrojtjes ajrore.
Lidhur me bisedat e zhvilluara gjatë Samitit të Jashtëzakonshëm të NATO-s mes presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe liderëve të Francës dhe Italisë, Çavuşoğlu tha se janë fokusuar mbi sistemin e mbrojtjes ajrore SAMP-T të zhvilluar nga Konzorciumi Eurosam nën partneritetin e Francës dhe Italisë. “Tani këto dy vende (Franca dhe Italia) në kuadër të kësaj po mendojnë më seriozisht për realizimin e prodhimit të përbashkët në Turqi”, tha ai./FolDrejt/