“Ne i bëjmë thirrje Greqisë që të ndalojë armatosjen e ishujve që kanë status joushtarak dhe të veprojë në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare”, theksoi Erdoğan
E paralajmërojmë Greqinë të mbledhë mendjen dhe të qëndrojë larg ëndrrave dhe veprimeve për të cilat mund të pendohet, siç bëri një shekull më parë, deklaroi sot presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Erdoğan ndoqi sot pjesën e dytë të stërvitjes ushtarake “Efes-2022” në poligonin ushtarak në qarkun Seferihisar, në qytetin perëndimor të Izmirit. Në fjalën e tij, presidenti Erdoğan trajtoi çështjen e armatimit grek të ishujve në Detin Egje.
“Türkiye (Turqia) nuk do të heqë dorë nga të drejtat e saj në Detin Egje dhe nuk do të hezitojë të përdorë autorizimet e njohura nga marrëveshjet ndërkombëtare kur bëhet fjalë për armatosjen e ishujve”, tha Erdoğan.
Ai tha se Türkiye nuk shkel të drejtat dhe ligjet e askujt, por gjithashtu nuk lejon askënd që të shkelë të drejtat e saj.
“Ne i bëjmë thirrje Greqisë që të ndalojë armatosjen e ishujve që kanë status joushtarak dhe të veprojë në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare”, theksoi Erdoğan.
Në këtë drejtim, ai i dërgoi një mesazh të qartë Greqisë.
“Ne paralajmërojmë Greqinë të mbledhë mendjen dhe të qëndrojë larg ëndrrave dhe veprimeve për të cilat mund të pendohet, siç bëri një shekull më parë”, tha Erdoğan.
Ai iu referua gjithashtu një operacioni të mundshëm ushtarak kundër kërcënimit terrorist në veri të Sirisë.
“Nuk do të lejojmë krijimin e korridoreve terroriste përgjatë kufijve të vendit tonë, kështu që sigurisht që do të përfundojmë vendosjen e pjesëve të mbetura të linjës sonë të sigurisë”, tha Erdoğan, duke shtuar:
“Hap pas hapi, ne jemi të vendosur të mbrojmë kufijtë tanë me një vijë sigurie 30 kilometra në thellësi”.