“Unë mendoj se Evropa do të ketë probleme serioze këtë dimër,” tha presidenti turk që justifikoi “përgjigjen” e Putinit ndaj sanksioneve evropiane.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan fajësoi sot sanksionet kundër Rusisë për krizën energjetike në Evropë, duke miratuar një argument të Kremlinit, shkruan protothema, transmeton Fol Drejt.
“Evropa korr atë që mbjell. Qëndrimi i Evropës ndaj zotit Putin dhe sanksionet e kanë bërë atë , duam apo s’duam, të thotë: ‘Nëse ju bëni këtë, unë do ta bëj këtë’”, argumentoi kreu i shtetit turk gjatë një konference për shtyp në Ankara.
“Putini përdor të gjitha mjetet dhe armët që ka në dispozicion, kryesisht gazin natyror. Ne nuk e duam, por besoj se Evropa do të ketë probleme serioze këtë dimër” , shtoi Erdogan, duke argumentuar se Turqia nga ana e saj nuk do të ketë probleme të tilla.
Turqia mban marrëdhënie të mira si me Moskën ashtu edhe me Kievin . Edhe pse e ka furnizuar Kievin me avionë ushtarakë pa pilot, ajo ka refuzuar të marrë pjesë në sanksionet perëndimore të vendosura ndaj Rusisë pasi ajo nisi ofensivën e saj në Ukrainë.
Erdogan kishte njoftuar në fillim të gushtit një marrëveshje për të paguar pjesërisht në rubla për dërgesat e gazit rus në Turqi.
Sipas analistëve, marrëveshja do t’i lejojë Rusisë të vazhdojë dërgesat në Turqi përmes tubacionit të gazit Turk Stream që kalon Detin e Zi.
Në vitin 2021, Rusia siguroi rreth një të katërtën e importeve të naftës së Turqisë dhe 45% të blerjeve të saj të gazit natyror./FolDrejt/