Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan deklaroi se “Si lajmëtar i Shekullit të Turqisë, sot lëshuam në hapësirë me një krenari të madhe satelitin e parë të vendit tonë me rezolucion të lartë”, raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
Erdogan dërgoi një video-mesazh në ceremoninë e zhvilluar në Institutin e Kërkimeve të Teknologjive Hapësinore TÜBİTAK në kampusin METU, pasi İMECE, sateliti i parë vendas dhe kombëtar vëzhgues i Turqisë me rezolucion nënmetër u lëshua nga Baza e Forcave Hapësinore Vandenberg në Kaliforni të SHBA-së.
Ai theksoi se përjeton lumturinë që sot jep një lajm të mirë dhe shtoi se në një periudhë ku vendi u trondit nga fatkeqësia e tërmetit ata dëshmojnë një moment historik në konkurrencën hapësinore. Erdogan theksoi se në orët e mëngjesit herët kanë përcjellë në hapësirë satelitin vëzhgues İMECE mbi të cilin inxhinierët kanë punuar ditë e natë me përpikmëri.
Erdogan uroi ata të cilët kanë kontribuar në të gjitha fazat që nga projektimi e deri te prodhimi dhe lëshimi në hapësirë i këtij sateliti i cili do t’i sigurojë Turqisë aftësi strategjike.
– “Duke shpallur programin tonë kombëtar hapësinor, ne filluam të ecim drejt objektivave tona”.
“Falënderoj Zotin që na dha mundësinë që popullit tonë t’i mundësojmë përjetimin e një suksesi të tillë”, tha Erdogan, duke shtuar:
“Po mbledhim një e nga një frytet e lëvizjes tonë për teknologjinë kombëtare e cila synon të nxjerrë vendin tonë në nivelin më të lartë në ligën e teknologjisë globale. Aktualisht shumë vende të zhvilluara po investojnë në fushën e hapësirës të cilën e shohin me rëndësi strategjike. Vëllimi i ekonomisë globale të hapësirës teksa në vitin 2009 ishte 245 miliardë dollarë, në vitin 2021 ajo u rrit në 469 miliardë dollarë. Këto shifra rriten dita ditës. Edhe ne si Turqi po rrisim vazhdimisht ingranazhet. Krahas investimeve që kemi bërë në 20 vitet e fundit, duke shpallur programin tonë kombëtar të hapësinor, ne filluam të ecim drejt objektivave tona”.
Në vazhdim Erdogan tha: “Tre vjet më parë, ne filluam një fazë tjetër në studimet hapësinore duke themeluar Agjencinë Turke të Hapësirës. Aktualisht po ndërmarrim hapa një nga një që do ta sjellin vendin tonë në pozicionin që meriton, nga zhvillimi i satelitëve tanë deri te dërgimi i mjeteve në sipërfaqen hënore, nga dërgimi i një qytetari turk në stacionin ndërkombëtar hapësinor, e deri në ekosistemin e industrisë hapësinore. Deri më sot 3 nga 8 satelitët e komunikimit që kemi lëshuar në orbitë, kanë përfunduar me sukses misionin e tyre. Ndërsa 5 satelitët tanë të tjerë të komunikimit i shërbejnë në mënyrë aktive vendit tonë”.
“Si lajmëtar i Shekullit të Turqisë, edhe sot lëshuam në hapësirë me një krenari të madhe satelitin e parë të vendit tonë me rezolucion të lartë. Me satelitin IMECE, ne projektuam, prodhuam, montuam, integruam dhe testuam vetë të gjitha nënsistemet e nevojshme për një satelit vëzhgimi”, deklaroi Erdogan në mesazhin e tij duke informuar se me themelimin e Institutit të Kërkimeve të Teknologjive Hapësinore TÜBİTAK ata përshpejtuar trajnimin e burimeve të njerëzve kompetentë.
– “İMECE do të jetë syri ynë në shumë fusha”
Erdogan theksoi se teknologjitë satelitore kritike të tilla si kompjuter të fluturimit dhe sisteme të komunikimit i kanë zhvilluar me mundësi vendase dhe kombëtare.
“Me kamerën elektro-optike me rezolucion të lartë që kemi zhvilluar, do të mund të marrim imazh jo vetëm nga Turqia por edhe nga çdo pozitë gjeografike e botës. Sateliti İMECE do të jetë sateliti vëzhgues më i zhvilluar i Turqisë në aspektin e rezolucionit të imazhit, shpejtësisë së komunikimit dhe aftësisë manovruese. Me këtë projekt kemi siguruar të gjithë infrastrukturën dhe aftësitë që do nevojiten për satelitët kombëtar tokësore vëzhgues që do të prodhohen në të ardhmen. Sateliti IMECE do të jetë syri ynë në shumë fusha, kryesisht në mbrojtjen kombëtare, menaxhimin fatkeqësive, pylltarinë bujqësore, mjedisin dhe urbanizimin”, tha presidenti Erdogan./FolDrejt/