Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendi i tij po bën gjithçka që mundet për të ngritur çështjen palestineze në të gjitha platformat për t’i dhënë fund “pushtimit, shtypjes dhe politikave të gjenocidit”, raporton Anadolu Agency (AA).
Porosia e presidentit Erdoğan u lexua në ceremoninë e hapjes së një ndërtese të re për Lidhjen e Parlamentarëve për Kudsin në Stamboll me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez.
“Lidhja e Parlamentarëve për Kudsin është bërë zëri i çështjes së drejtë të vëllezërve dhe motrave tona palestineze në të gjithë botën përmes përpjekjeve, takimeve dhe konferencave të saj”, tha ai.
Ai vuri në dukje se Kudsi nuk është vetëm një çështje që është afër zemrave të myslimanëve palestinezë, por për të gjithë 1,8 miliardë muslimanët në të gjithë botën.
“Në bazë të rezolutave të OKB-së dhe Iniciativës Arabe të Paqes, ne do të vazhdojmë luftën tonë me vendosmëri derisa të krijohet një shtet i pavarur dhe sovran palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytet të tij mbi bazën e kufijve të vitit 1967″, shtoi Erdoğan.
Kryetari i parlamentit turk, Mustafa Şentop, duke folur në këtë ngjarje tha se çështja palestineze është e dashur jo vetëm për palestinezët, arabët ose botën islami, por për këdo me ndërgjegje, pavarësisht nga raca, feja apo pikëpamjet politike.
Parlamentarët për Kudsin është një grup i pavarur ndërkombëtarisht, i cili u krijua në vitin 2015. Ai synon të aktivizojë rolin e parlamentarëve në mbështetjen e të drejtave të njeriut të palestinezëve sipas ligjeve ndërkombëtare.
Ky organ bashkëpunon me ligjvënësit nga parlamentet e ndryshme botërore duke u konsultuar, koordinuar dhe bashkëpunuar për çështjen e Palestinës.
Territoret palestineze, përfshirë Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, janë nën okupimin ilegal izraelit që nga viti 1967.
“Ndjekja e çështjes palestineze, në thelb, do të thotë vënia në pikëpyetje e rendit botëror pas Luftës së Dytë Botërore. Ne jemi në një periudhë në të cilën muslimanët dhe të gjithë kombet e tjerë të shtypur do të forcohen dhe do të luftojnë për të fituar të drejtat e tyre”, tha Şentop.
Ai gjithashtu tha se Parlamentarët për Kudsin, që numrën mbi 1.500 parlamentarë aktivë ose ish-parlamentarë nga 73 vende, është platforma e duhur për të mbrojtur dhe promovuar çështjen palestineze.