Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin suedez Ulf Kristersson.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës, në telefonatë u diskutuan marrëdhëniet Turqi-Suedi, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Gjatë bisedës, presidenti Erdogan i ka përcjellë urimet Ulf Kristersson-it për postin e kryeministrit të ri të Suedisë.
Duke iu referuar një letre të dërguar nga Kristersson më 19 tetor, në të cilin ai shpreh gatishmëri për të vizituar Turqine, presidenti Erdogan deklaroi se do të ishte i kënaqur ta priste kryeministrin suedez në Ankara.
Erdogan ka deklaruar se janë të gatshëm të avancojnë marrëdhëniet dypalëshe me qeverinë suedeze në çdo fushë.
Duke thënë se ka ndjekur deklaratat e kryeministrit suedez Kristersson për angazhimin e tyre për Memorandumin Trepalësh, të nëshkruar nga dy vendet përkatëse dhe Finlanda në prani të NATO-s, presidenti turk tha se ky memorandum do të jetë udhërrëfyes për procesin e ardhshëm.
Presidenti Erdogan theksoi se është në interes të përbashkët të parandalohen organizatat terroriste që të marrin peng anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe marrëdhëniet dypalëshe me Turqine.
Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO në qershor, vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.
Megjithatë, Turqia, anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vjet, shprehu kundërshtime ndaj aplikimeve të anëtarësimit, duke kritikuar të dy vendet për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste.
Të tre vendet nënshkruan një memorandum trepalësh mirëkuptimi në samitin e NATO-s në qershor në Madrid, i cili përcakton se Finlanda dhe Suedia nuk do të ofrojnë mbështetje për YPG/PYD-në, degën siriane të grupit terrorist PKK, ose FETO-n.
Vendet nordike ranë dakord gjithashtu të trajtojnë kërkesat e Ankarasë për dëbim ose ekstradim për të dyshuarit për terrorizëm.
Parlamenti i Turqise duhet të japë dritë jeshile për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO./FolDrejt/