Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, vazhdoi të luajë rolin e këshilluesit në samitin urgjent të shteteve të Aleancës Veri-Atlantike.
“I bëj thirrje Rusisë që të ndërpresë menjëherë aksionin e saj ushtarak. Ne qëndrojmë me popullin e guximshëm të Ukrainës. Mbështesim plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, të drejtën e saj për vetëmbrojtje dhe të drejtën e saj për të zgjedhur rrugën e saj”, tha ai.
Por, kjo paraqitje e tij e nevrikosi presidentin turk Recep Tayyip Erdogan. Ai tha se reagimi i NATO-s dhe vendeve perëndimore nuk ishte i vendosur dhe se shpresonte që samiti i së premtes do të çonte në një pozicion më të vendosur të Aleancës.
“Ata vetëm po japin këshilla, nuk po japin asnjë mbështetje. Një qëndrim i tillë nuk i shërben miqësisë apo solidaritetit”.
Më solidar dhe i ashpër u tregua presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i cili kërkoi nga presidenti rus, Vladimir Putin, të ndalojë çmendurinë e kësaj lufte menjëherë.
Një gjest të mirë në këtë ditë e bëri edhe Papa Françesku. Ai vizitoi selinë e ambasadës së Federatës Ruse pranë Selisë së Shenjtë ku shprehu shqetësimin rreth agresionit që po ushtrohet në vendin evropian.
Kardinali bëri thirrje për dialog dhe iu kërkoi besimtarëve që të caktojnë të mërkurën e ardhshme si ditë agjërimi dhe lutjeje për paqen në Ukrainë.