Forbes i ka kushtuar vëmendje platformës “Erudera”. Kjo platformë është themeluar nga një ekip kosovar, ndërsa u dedikohet atyre që duan të bëjnë kërkime për universitete dhe programe akademike, transmeton Fol Drejt.
Platforma është vlerësuar si një risi në fushën e edukimit të lartë, suksesi i së cilës tashmë po dëshmohet ndërkombëtarisht duke iu bashkuar listës së platformave të suksesshme për të cilat shkruajnë mediet ndërkombëtare.
“Misioni ynë me Erudera është të arrijmë që në fillim të fazës së kërkimit, studentët t’i bashkojmë me universitetin e duhur duke përdorur platformën tonë dhe t’i udhëzojmë ata gjatë këtij rrugëtimi deri në fund. Dua që të mendoni rreth kësaj për një sekondë: një adoleshent me një sasi të kufizuar informacionesh është gati të marrë një vendim që do të përcaktojë pjesën tjetër të jetës së tij/saj. Ne duam t’i ndihmojmë ata të bëjnë zgjedhjen e duhur” – tha në një intervistë për Forbes, Gent Ukëhajdaraj, CEO në Erudera.
Erudera u prezantua për herë të parë në MatchIN Investor Forum në Tiranë, më 29 prill, organizuar nga Swiss Entrepreneurship Program. Në këtë organizim morën pjesë 20 startup-et më të mira nga Ballkani Perëndimor si dhe mbi 50 investitorë nga e gjithë bota. Erudera ishte një ndër idetë që mori më së shumti vëmendje në këtë ngjarje./FolDrejt/