Mediat serbe kanë raportuar se i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjet e Ballkanit Perëndimor Gabriel Escobar, do ta vizitojë sot Serbinë, transmeton Fol Drejt.
Sipas Pink.rs Escobar do të takohet sot në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministren Ana Brnabiq.
Escobar ka udhëtuar për në Beograd një ditë pas vizitës së përfaqësuesit special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, i cili u takua me zyrtarët më të lartë dhe përfaqësuesit e opozitës në kuadër të përgatitjeve për takimin e liderëve të Serbisë dhe Kosova në Ohër më 18 mars. Escobar do të takohet fillimisht me Vuçiqin në ora 15:15 në Presidencën, e më pas në ora 16:45 me kryeministren Brnabiq në ndërtesën e Qeverisë.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së tha një ditë pas raundit të fundit të dialogut të nivelit të lartë të mbajtur më 27 shkurt në Bruksel se SHBA-të mbështesin propozimin e BE-së për të cilin u pajtuan liderët e Serbisë dhe Kosovës si për një “hap të rëndësishëm”.
Ai tha se shpreson që Vuçiq dhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të arrijnë shpejt një marrëveshje për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./FolDrejt/