I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, të vazhdojë “në mënyrë dinamike dhe konstruktive”.
“Kjo është e rëndësishme si për qytetarët, ashtu edhe për paqen, stabilitetin dhe përparimin e përgjithshëm në rajon”, tha Escobar. Ai i bëri komentet në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi Presidenca serbe.
Vuçiq, në anën tjetër, tha se ka mbajtur “bisedime të rëndësishme” me diplomatin e lartë amerikan. Në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq tha se është biseduar “për të gjitha zhvillimet aktuale” dhe për çështjet e hapura” në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.
Ai tha se ka këmbëngulur në “zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, si dhe të së drejtës ndërkombëtare.
“Serbia, si vend serioz, i besueshëm dhe i përgjegjshëm, vazhdon të luftojë për ruajtjen e popullit dhe vendit të saj, duke bërë përpjekje maksimale për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe për përparimin e gjithë rajonit”, tha Vuçiq.
Escobar po qëndron në kryeqytetin serb një ditë pas vizitës në Kosovë. Ai pritet të takohet edhe me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhe drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Të mërkurën në Prishtinë, ai takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës. Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.
Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i shumicës ka ngecur. Takimi i fundit në nivel të lartë, përkatësisht mes Kurtit dhe Vuçiqit, është mbajtur në gusht.
Duke folur për një televizion lokal të mërkurën në Kosovë, Escobar tha se arritja e një marrëveshjeje për rrugën përpara mes Kosovës dhe Serbisë, është çështje javësh.
Escobar: Arritja e një marrëveshjeje për rrugën përpara mes Kosovës e Serbisë, çështje javësh
Pas takimeve të ndara me Escobarin, Osmani dhe Kurti thanë se Kosova është palë konstruktive në dialog dhe se ajo është e gatshme për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, me në qendër njohjen reciproke./REL