I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë dhe se ai nuk do që të presë deri në muajin korrik për zgjedhje të reja.
“Kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat [komunale], Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth [këtyre] ndërtesave dhe protestuesit duhet të largohen”.
“Shpresojmë të ketë zgjedhje të reja dhe ne duam që serbët të marrin pjesë në to pa parakushte”, tha ai.
Escobar i bëri komentet për gazetarët në Beograd, ku udhëtoi bashkë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Escobar, i cili një ditë më herët e kritikoi ashpër Kurtin për “mungesë bashkëpunimi” në shtensionimin e situatës, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka siguruar atë se do ta shfrytëzonte ndikimin e tij për ta bindur komunitetin serb në veri të Kosovës që të merrte pjesë në zgjedhjet eventuale.
Serbët, pas thirrjeve të Beogradit, i bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave dolën kryetarët shqiptarë të komunave në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
“Sfida më e madhe për Serbinë tani është t’i bindë serbët që të kthehen në institucionet [e Kosovës]”, tha Escobar. /REL/