Procesi i funksionalizimit të Agjencisë për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve (Agjencisë së Gjuhës Shqipe) ka kaluar katër hapa, nga gjithsej nëntë. Deri në funksionalizimin e plotë, kanë mbetur edhe pesë hapa.
Sipas asaj që deklaroi zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Muhamed Hoxha, lokacioni i Agjencisë do të jetë në ish zyrat e Policisë Financiare.
“Në seancën e javës së kaluar Qeveria e RMV-së i ka përcaktuar zyrat e Agjencisë për përdorimin e gjuhëve dhe pas atij vendimi, vijojnë procedurat e nevojshme. Sipas vendimit, zyrat e Agjencisë do të jenë në ish zyrat e Policisë Financiare”, tha Hoxha.
Pas kësaj, do të vijojë kompletimi me mjetet e nevojshme, mobilimi, ndërkaq për hapat e tjera, që parashohin kompletim të Agjencisë në pikëpamje profesionale, do të duhet të presim mbarimin e zgjedhjeve presidenciale, fundi i muajit maj.
Deri atëherë, do të bëhen 4 muaj nga hyrja në fuqi e Ligjit për përdorimin e Gjuhëve, i cili parasheh që brenda gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e tij, të gjitha institucionet t’i vendosin tabelat edhe në gjuhën shqipe.
Nga ana tjetër, Qeveria, bazuar në Marrëveshjen së Prespës i ka ndërruar emrat e 136-të institucioneve shtetërore, por edhe pas 3 javësh, të njëjtat ende nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe.