Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria e tanishme i kanë bllokuar investimet kapitale në gjithë vendin.
Sipas tij, edhe në kohën e pandemisë është punuar në shumë projekte pa bllokime të tilla.
“I kanë bllokuar investimet kapitale në gjithë Kosovën, të cilat kurrë nuk kanë qenë më të ulëta. Edhe në kohën e pandemisë është punuar më shumë në projekte në gjithë Kosovën. I kanë palosur mbi 700 milionë euro në llogari bankare të qeverisë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Hoti tha se tash qeveria po merr kredi 47 milionë euro për ndihma sociale, prej të cilave, sipas tij, 15 milionë janë për pagesat e bëra për ndihma sociale për janar, shkurt dhe mars 2021, kur ka qenë pandemia, të cilat pagesa po bëhen gati dy vite që janë kryer.
“Edhe kanë fytyrë të kërkojnë votat e opozitës për ratifikimin e kredisë në Kuvend”, ka shtuar ai.
Sipas tij, është dëm që kjo qeveri të vazhdojë qeverisjen e saj.
“Ky është dështim total. Është dëm i madh për vendin çdo ditë që kjo klasë politike e paaftë dhe e mbrapshtë mbetet në qeverisje. Është e pafalshme të lejohet edhe më tutje kjo lloj qeverisjeje”, ka shtuar ai.