“Jemi futur në një epokë të re!” – tha Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz gjatë një fjalimi në Bundestag para disa ditësh. Duke iu referuar sulmit brutal të Rusisë ndaj Ukrainës, ai i justifikoi 100 miliardë eurot e ndara për Bundeswehr-in, “si imediate” për programet e avionëve luftarakë dhe dronëve, në kuadër të masave për mbrojtjen ushtarake.
Shkruan: Imer Topanica
Lufta e Ukrainës kundër pushtimit rus, i ka shtyrë shumë vende të reflektojnë në këtë drejtim. Në kontekstin e Ballkanit Perëndimor, një copë Evrope ku krizat dhe tensionet nuk janë shuar as pas luftërave të fundit ndërmjet vendeve të ish Jugosllavisë, hapat e tillë janë të domosdoshëm. Prandaj, Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës ka ndërmarr një hap shumë të mençur, të cilin ishte dashur ta ndërmerrnin paraardhëset e saj.
Serbia do të na sulmojë, sapo t’i epet rasti
Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, në një intervistë të shkurtër për Sky News me të drejtë tha se “Ballkani nuk është imun nga efektet e situatës në Ukrainë”, ndërsa iu referua faktit që Serbia është fqinje me Kosovë dhe po ashtu që ajo është rreshtuar me ato pak vende perëndimore, të cilat kanë hezituar t’i vënë sanksione Federatës Ruse.
Për lidhjet vëllazërore me këtë të fundit, as që ka nevojë të komentohet. E tregoi vetë kryetari i parlamentit të Serbisë Ivica Daçiq i cili dje u deklarua se “ai që dëshiron që ne të vendosim sanksione ndaj Rusisë nuk është kundër Rusisë, por kundër Serbisë.”
Investitorët rusë, në një mënyrë, e kanë në dorë ekonominë e Serbisë. Mjafton fakti që 56% e industrisë së naftës si dhe 51% të rezervave të gazit, janë në pronësi të Gazpromit rus.
Armatosja e Serbisë me teknologji ushtarake nga Rusia, bashkë me donacionet që i ka përfituar herë pas here, nuk kanë qenë aspak të rralla viteve të fundit. Vetëm para dy vitesh, Serbia pat nënshkruar kontratë për blerjen e sistemit raketor të mbrojtjes “Pancir 1”, akt ky që u parapri dhe u pasua edhe me të tjerë. “Vëllai i madh” i ka dhuruar edhe mjete të tjera luftarake, falas.
Duke i komentuar këta hapa, atëbotë Ministri i Mbrojtjes Aleksandër Vulin pat thënë se “Serbia po armatoset për hir të paqes!”. Sipas tij, sa më e armatosur Serbia, aq më larg qëndron lufta.
Serbia ka mbi 100 avionë luftarakë dhe prej tyre 6 – MIG 29 i ka donacion nga Rusia…
Tensionet në veri të vendit në fundvitin që iku, pas vendosjes së reciprocitetit të targave, janë dëshmi e qartë që ëndrra e Serbisë për ta gllabëruar ndonjë copë të Kosovës, nuk është shuar. Emri i vendit tonë, nuk qëndron vetëm formalisht si preambulë në Kushtetutën e Serbisë. Kosova, për politikën aktuale serbe, nën petkun e së cilës fshihet shovinizmi i maskuar, mbetet “djepi i Serbisë!”
Kanceri i luftës mund të shpërndahet edhe në vendet e tjera
Hiq më larg se në mëngjesin e ditës së djeshme ish presidenti Donald Trump paralajmëroi opinionin amerikan, por edhe botëror, se një luftë e re është në prag për të shpërthyer. Ai iu referua tensioneve ndërmjet Kinës dhe Tajvanit, duke paralajmëruar se mund të përshkallëzohen. Në mëngjesin e sotëm Pekini zyrtar i ka kërcënuar dhe paralajmëruar ShBA-të, duke ua tërhequr vërejtjen që “të mos kalojnë” nëpër ngushticat e ishujve të Tajvanit, për t’ju dhënë zemër “Forcave të Pavarësisë” së këtij vendi.
Nëse shpërthen edhe një luftë e re, Serbia mund ta shfrytëzojë situatën kaotike dhe të ndërmarr ndonjë veprim të befasishëm duke e sulmuar Kosovën. Të gjithë e thonë këtë. Për rrjedhojë, prania ushtarake e NATO-s në Kosovë, nuk është e vetmja garantuese e paqes.
Rasti i Ukrainës na mësoi se, miqtë tanë, mund të dërgojnë ndihma, mund ta “godasin” me sanksione armikun tonë, madje mund të na furnizojnë edhe me armë, por të ju thonë djemve të tyre më të mirë shkoni dhe vdisni për Kosovën, është pak e besueshme!
Qëkur u zyrtarizua gjithçka për sa i përket fondit, pat zëra se me këtë akt, qeveria ka dëshmuar se nuk e kupton dhe nuk di ta menaxhojë këtë sektor. “Një ushtri e fortë nuk mund të ndërtohet e as të mbahet nga “lëmosha”” – u shprehën dje nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Zërat kritikë shkuan aq larg sa t’i krahasojnë Gjermaninë dhe Japoninë pas Luftës së Dytë Botërore, me Kosovën, duke thënë se një ndër arsyet pse këto vende u ringritën në maje të listës së superfuqive botërore, është sepse ato investuan në arsim dhe edukim, jo në ushtri, gjë që s’është e vërtetë. Gjermania, për shkak të fajeve të luftës, nuk ka pasur të drejtë të ketë ushtri të mirëfilltë deri tash së voni, ndërsa ka qenë e mbikëqyrur për dekada të tëra nga ShBA-të. Ndërsa Japonia, e rrënuar nga lufta dhe pasojat që ua lanë shpërthimet e bombave në Hiroshima dhe Nagasaki, investoi hap pas hapi, për aq sa mundi, duke u rikthyer aty ku e kishte vendin.
Pra, në këtë kohë dimrash të ashpër, ndërsa ujqërit po grumbullohen, është budallallëk të thuash se vatha jonë nuk ka nevojë të fortifikohet./FolDrejt/