30 vjeçari Q.J., që dyshohet se e vrau 30 vjeçarin me inicialet G.H., mbrëmë pas mesnatës në Ferizaj, është ndaluar për 48 orë.
Këtë e ka bërë të ditur Prokuroria Themelore e Ferizajt e cila tha se, brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Në ndërkohë Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Shukri Jashari, ka thënë për Klankosova.tv se dorasi i dyshuar nuk është intervistuar akoma, pasi i njëjti është duke u trajtuar në QKUK dhe në orët e para të mëngjesit i është nënshtruar një operacioni.
G.H., e ka plagosur një zyrtar policor, që ishte me rroba civile në detyrë zyrtare, me armë zyrtare në vendin e ngjarjes, pasi i dyshuari me armë zjarri në dorë ishte drejtuar kah policët dhe fillimisht s’kishte përfillur urdhrat e policisë për ndalim.
E motivet e kësaj vrasje të rëndë, sipas Jasharit, akoma nuk dihen, derisa deri tani është identifikuar një dëshmitar.
“Motivet nuk dihen ende për shkak se nuk janë intervistuar dëshmitarët, kemi një dëshmitar të identifikuar, i cili do të intervistohet sot pasdite”, tha ai për Klankosova.tv.
Kryeprokurori i Ferizajt tha se janë në përpjekje për të identifikuar dëshmitarë tjerë që mund të kenë qenë të pranishëm në vendin ku ndodhi vrasja.
Trupi i pajetë i viktimës, me urdhër të prokurorit, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.