Për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave në Pejë, shkruan Fol Drejt.
Më 26 nëntor të vitit 2021, në një pasdite në Gllogjan tre persona mbetën të vrarë dhe një u plagos pas një breshërie plumbash të shkrepur në drejtim të një autobusi i cili po bartte nxënës. Si rrjedhojë më vonë u konfirmua se dy nxënës të moshës 17 vjeçe dhe shoferi i autobusit, mbetën të vrarë në vend.
Në një konferencë për shtyp prokurorja e rastit Sahide Gashi ka treguar se si janë zhvilluar deri më tani hetimet, për rastin që e tronditi shoqërinë kosovare në vitin 2021.
Sipas prokurores Gashi, aktakuza është ngritur ndaj Kreshnik e Kastriot Mehmetaj për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndaj Halil Mehmetaj për shtytje në kryerje të veprës penale, ndërsa për të pandehurin Malsor Mehmetaj janë ndërprerë hetimet, meqë nuk ka pasur prova që ai ka qenë i involvuar në rast.
“Pas hetimeve Prokuroria sot më 5 maj ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Pejë kundër Kastriot Mehmetaj e Kreshnik Mehmetaj për vepër penale ‘vrasje’ si bashkëkryes të veprës. Kemi ngritur aktakuzë edhe kundër Halil Mehmetaj për vepër penale ‘shtytje në vepër të rëndë’. Pas përfundimit të hetimeve dhe shqyrtimit të të gjitha provave, Prokuroria për të pandehurin Malsor Mehmetaj nuk ka arritur të vërtetojë dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në krim, andaj Prokuroria ka marrë vendim që ndaj tij t’i pushojë hetimet” – ka njoftuar Gashi./FolDrejt/