Pothuajse një e katërta e popullsisë së Gjermanisë ka një prejardhje migrante, njoftoi të enjten zyra e statistikave.
“19 milionë ose 23 për qind e popullsisë së Gjermanisë janë ose emigrantë ose të dy prindërit e tyre kanë emigruar në Gjermani”, thuhet në njoftim.
Nga këta, 14.2 milionë ose 17.3 për qind janë persona që kanë emigruar në Gjermani nga një vend tjetër pas vitit 1950. Prej tyre 4.7 milionë ose 5.7 për qind janë pasardhës të emigrantëve të drejtpërdrejtë.
Për 3.7 milionë banorë të tjerë, njëri prej prindërve është emigrant, por sipas kritereve të fundit këta persona nuk llogariten më si persona me prejardhje migrante.
Sipas të dhënave të Eurostat, Gjermania është ndër vendet e Bashkimit Evropian me përqindjen më të lartë të emigrantëve në mesin e banorëve të saj.
Mbajtësit e rekordeve janë Malta (22.3 për qind) dhe Suedia (21.9 për qind), ndërsa Bullgaria, Rumania dhe Polonia kanë pjesën më të vogël të emigrantëve në totalin e popullsisë (nën një për qind).
Duke qenë se shifrat e publikuara i referohen vitit 2021, statistikat nuk përfshijnë refugjatët nga Ukraina, prej të cilëve më shumë se një milion kanë ikur vetëm në Gjermani. /FolDrejt/