Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Jan Lipavskyn, Ministër i Jashtëm në Qeverinë e Republikës Çeke, shkruan Fol Drejt.
Presidentja ka treguar se fokusi kryesor i takimit ishte çështja e liberalizimit të vizave.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që liberalizimi i vizave të jetë në agjendë, prandaj llogarisim në mbështetjen çeke në këtë aspekt si bartëse e Presidencës së Këshillit të BE-së”, ka thënë presidentja.
Krahas temës së liberalizimit të vizave, Osmani ka folur edhe për nevojën e avancimit të rrugës evropiane për vendin tonë.
Ajo ka theksuar bashkërendimin e plotë të politikave të jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me ato të Bashkimit Evropian si dëshmi e përkushtimit të institucioneve dhe popullit të Kosovës për integrim evropian.
Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka përmendur që Kosova do të dorëzojë këtë vit aplikimin për statusin e vendit kandidat.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, Presidentja Osmani është shprehur se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se zgjidhja e vetme që i kontribuon paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm është një proces i përqendruar në njohje të ndërsjellë. /FolDrejt/