Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje rreth rastit të vrasjes së Bedri Rexhepit, i cili fillimisht ishte raportuar i zhdukur më 9 prill të vitit të kaluar.
Prokurori i rastit, Armend Hamiti, në një konferencë për media ka thënë se dje gjatë ditës ka informuar familjarët se është konfirmuar se mbetjet mortore që janë gjetur në Novëbërdë janë të Bedri Rexhepit.
“Në bazë të të gjeturave antropologjike mjeko-ligjore, ku bën pjesë përcaktimi i profilit biologjik, krahasimit të gjetjeve otologjike, si dhe provave të tjera, është identifikuar identiteti i viktimës”.
Ai poashtu bëri me dije se ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, për veprat penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje” dhe “dëmtimi i varreve apo kufomave”.
“Motivi i kryerjes së këtyre veprave penale është i ulët. Sipas hetimit tonë, i cili ka zgjatur rreth 18 muaj, rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material për shumën 30 mijë euro. Të akuzuarit kanë besuar që Bedri Rexhepi i posedon për të cilin më pas kanë bërë plan dhe e kanë ekzekutuar”, tha prokurori Hamiti, njofton Klankosova.tv.