Vendet Baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania njoftuan se i bashkohen deklaratës së vendeve G7 për mbështetjen e Ukrainës, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte dhe kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins, publikuan një deklaratë të përbashkët lidhur me çështjen.
Në deklaratë shprehet mbështetje ndaj popullit dhe qeverisë së Ukrainës “të cilët mbrojnë në mënyrë heroike lirinë, pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të tyre”.
Liderët kanë theksuar se kanë qenë pranë Ukrainës nga dita e parë dhe më tej kanë bërë vlerësimin se “Deri në fitore, do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën dhe të ofrojmë kontribut ndaj përpjekjeve ndërkombëtare për të mbrojtur pavarësinë, sovranitetin, sigurinë, demokracinë dhe mirëqenien e saj”.
“Do të vazhdojmë mbështetjen tonë të vendosur që Ukraina t‘i bashkohet sa më shpejt të jetë e mundur NATO-s. Ukraina ka provuar gatishmërinë e saj për të çuar më tej parimet tona të përbashkëta si demokracinë, lirinë individuale dhe mbizotërimin e ligjit dhe për të ofruar kontribut për sigurinë e rajonit të Atlantikut të Veriut. Do të punojmë në bashkëpunim të ngushtë me Ukrainën në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Presim me padurim fillimin e negociatave të anëtarësimit në vitin 2023, pas vlerësimit për zbatimin e rekomandimeve. Me këtë mendim ne pajtohemi me deklaratën e G7”, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të sigurojë parandalim.
Vendet G7 të përbërë nga vendet SHBA, Kanada, Gjermani, Britani, Francë, Itali dhe Japoni, më 12 korrik ranë dakord mbi një deklaratë të përbashkët e cila ofron kornizë të sigurisë për mbështetje ndaj Ukrainës.
Vendet e G7 publikuan deklaratën e përbashkët në mbështetje të Ukrainës në kuadër të Samitit të NATO-s i cili u mbajt në Vilnius, kryeqytetin e Lituanisë.