Në vazhdën e organizimeve të takimeve të shumta, ETEA në Qendrën për Edukim dhe Kulturë LIBART ka të ftuar shkrimtaren Blerina Rogova Gaxha.
Takimi do të mbahet në orën 17:00 në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania”, transmeton Fol Drejt.
Blerina është është poete, eseiste dhe studiuese e letërsisë. Ajo para dy ditësh ishte edhe fituese e çmimit “Ibrahim Rugova” me monografinë “Vdekja në letërsinë moderne shqipe: Ndre Mjedja, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës.
“Nën moderimin e Zamira Rexhepaj, kemi rastin të dëgjojmë bisedën rreth krijimtarisë letrare të shkrimtares Blerina Rogova Gaxha, fushave të interesit të saj, procesit e vullnetit për krijim dhe përkrahjes instiucionale e shoqërore të krijuesve”, shkruan ETEA në Facebook.
Blerina Rogova Gaxha ka pasur prezantime të shumta në festivalet e letërsisë dhe në panairet e librit në Gjermani, Austri, Zvicër, Kroaci, Slloveni, Irlandë, Maqedoni dhe vende të tjera.
Poezitë dhe esetë i janë përkthyer e botuar në disa gjuhë të huaja (gjermane, angleze, frënge, italiane, sllovene, kroate, greke, rumune, turke, boshnjake, maqedonase).
Ndër veprat e saj mund të përmenden: Format e prozës së Kadaresë (studim, 2015); Ajo vjen nga Lindja (poezi, 2016); Thasë (poezi, 2020) dhe Vdekja në letërsinë moderne shqipe: Ndre Mjedja, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli (monografi, 2021)./FolDrejt/