Misioni i EULEX-it, përmes shefit të tij Lars-Gunnar Wigemark, ka bërë të ditur se një ekip mjekësor ka ekzaminuar mbrëmë ish-policin serb të arrestuar, Dejan Pantiq.
Wigemark njëkohësisht vuri në dije se ky është ekzaminimi i dytë që i bëhet ish-oficerit.
“Me kërkesë të autoriteteve përgjegjëse të Kosovës, një ekip mjekësor i EULEX-it dje në mbrëmje ekzaminoi z. D.P., i cili është ndaluar nga Policia e Kosovës. Ky është ekzaminimi i dytë mjekësor i z. D.P., kryer nga një ekip mjekësor i EULEX-it. E para u zhvillua një javë më parë”, është shprehur Wigemark në Twitter.
Kujtojmë se Pantiq është arrestuar në Jarinje, nën dyshimin për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues.
Si rrjedhojë e arrestimit të tij, ditë më parë pati edhe protesta nga serbët në Rudar të Zveçanit./FolDrejt/