Deputeti i Parlamentit Evropian dhe kryetari i Partisë së Gjelbër Europiane, Thomas Waitz, ka thënë se BE po diskuton ngrirjen e bisedimeve me Serbinë për anëtarësimin e saj në union, raporton Fol Drejt.
Deputeti austriak i PE-së i ka dënuar sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve, ndërsa ka thënë se Partia Popullore Europiane (EPP) duhet ta përfundojë urgjentisht bashkëpunimin me Vuçiqin.
“Këto përshkallëzime janë rezultat i disa viteve të politikës etno-nacionaliste të Aleksandër Vuçiqit dhe retorikës përçarëse. Edhe ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët janë bërë objektiva të kësaj gatishmërie për dhunë. I dënoj sulmet në termat më të fortë. Partia Popullore Evropiane (EPP) duhet të përfundojë urgjentisht bashkëpunimin me Aleksandar Vuçiqin, kundër të cilit po zhvillohen protesta masive aktualisht në Serbi”, thuhet në një deklaratë të tij dërguar mediave.
Waitz shtoi se “kemi nevojë urgjente për zgjidhje politike për krizën në veri” dhe që të dyja palët të kthehen në tavolinën e dialogut. /FolDrejt/