Nga: Alpin Ollogu
Para disa javësh, përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, eurokomisarja Vera Jurova, e pranishme në samitin e ministrave të drejtësisë që u mbajt në vendin tonë, deklaroi:
“Ne duam të shohim se sektori i drejtësisë është plot me profesionistë dhe persona me besueshmëri, për integritetin moral, të cilëve nuk ka dyshime dhe nuk vihet në pyetje profesionalizmi i tyre. Procesi i vetingut është një nga proceset që do të përdoret për ta garantuar këtë. Ne e dëgjuam ministrin e Shqipërisë për mbarëvajtjen e procesit atje. Nuk është një punë e lehtë. Në Maqedoninë e Veriut nuk ka filluar por jam e sigurtë se vendi do të shfrytëzojë mënyrën e tij se si ta garantojë reputacion të lartë të sektorit të drejtësisë. Ky është një kusht shumë strikt dhe i logjikshëm për rritjen e besueshmërisë së njerëzve në gjyqësor dhe prokurori”.
Fill pas këtij samiti dhe deklaratave të bujshme për reformën në drejtësi të Vera Junovës, kryeministri Zoran Zaev, i gjetur ngushtë, mbërthyer për tre vite rresht nga skepticizmi dhe mungesa e vullnetit për të pranuar dhe zbatuar vetingun e shumëpërfolur të gjykatësve dhe prokurorëve, shtuar dhe rëndësen e humbjes së betejës/premtimeve të tij false për reforma në drejtësi, njëkohësisht i qëndruar në pozicion të palakmueshëm përballë kërkesës – projektligjit për veting të partnerit shqiptar të koalicionit qeverisës, kryeministri ndryshoi mendje. Kryeministri u detyrua të dalë në mbështetje të vetingut të plotë në drejtësi, duke e proklamuar së fundmi edhe në tubimet e partisë së tij të parafushatës elektorale të zhvilluara në disa qytete të vendit.
Nuk shkuan disa javë dhe i pari i qeverisë përsëri ndryshoi mendje. Nuk priti as disa orë pas deklaratës së ambasadorit të Bashkimit Evropian Samuel Zhbogar – për panevojshmërinë e vetingut, me arsyen që gjyqësori nuk na qenka në atë shkallë të rënduar, për të pasur nevojën e vetingut, e që kryeministri Zaev ta transformojë vetingun në një kahje tjetër, pastrim në gjyqësor me një metodologji te re, me “udhëzime kryeministrore”.
Deklarata të tilla të bëra nga ambasadori Evropian, të cilat realisht janë të kundërta me raportet dhe shqetësimet e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për vendin tonë, në lidhje me gjyqësorin dhe plotësim kushtet e hapjes së negociatave dhe anëtarsimit në BE, i dhanë oksigjen kundërshtimeve të mëparshme të Zevit për mekanizmin e vetingut. E që siç përmendëm, tashmë i pari i qeverisë na doli me një teori të re reforme, që sipas tij nuk mund ta quajmë veting, por pastrim në gjyqësor nëpërmjet institucioneve aktuale shtetëror si Anti korrupsioni, DAP-i, Kadastra, Policia Financiare dhe Regjistri qendror, të cilët do të kontrollokan pronën e gjykatësve dhe prokurorëve. Me një fjalë përmbledhëse, një veting bosh, një pastrim në gjyqësor nëpërmjet mekanizmave qe kryeministri i emëron dhe shkarkon vetë, ngjashëm si me reformën boshe tre vjeçare të qeverisë së tij në sistemin e drejtësisë. Kryeministri e haron qëllimshmës një pikë të rëndësishme të deklaratës së ambasadorit Zhbogar, në kontekst të realizimit apo jo të procesit të vetingut, ku Zbogari thotë: “gjithsesi vendimi ynë është se vendimi bie mbi vetë shtetin”. Të cilën gjë Zhbogari e ritheksoi dy ditë më pas, kur u pyet nga gazetarët, gjatë një vizitë në Makedonska Kamenicë. “Presidenti mbajti një fjalim shumë të rëndësishëm dje për çështjet kryesore të cilat i shqetësojnë qytetarët. Në deklaratën time qartë e shpreha qëndrimin tonë – është vendim i vendit është se si do të zgjidhë situatën në gjyqësor”, tha Zhbogar.
Prandaj, në këto rrethana të pretendosh të bësh reformë në drejtësi, me gabime të përsëritura, humbje kohe dhe metodologji boshe, dhe kjo për të zëvendësuar e vetingut e kërkuar nga forcat politike, qytetarët, dhe në kundërshti me projektligjin e logjikshëm të partisë shqiptare të koalicionit qeverises, është tragjike dhe pafundësisht qesharake. Ndërsa në anën tjetër, ç’nuk bën njeriu kryeministror, për të shpëtuar nga drejtësia, ajo drejtësi që do dilte apo do dalë një ditë nga vetingu i mirëfilltë. Ç’nuk bën njeriu për të mos i vënë gjyqtarët dhe prokurorët e lëndës “rryshfeti” (në qeverisjen lokale të Strumicës), në sitën e vetingut. Kur dihet botërisht që vetingu nuk ka në filtër vetëm kriterin e pasurisë, por edhe profesionalizmin – zbatimin e ligjit dhe lidhjet kriminale apo të pushteteve tjera, siç është ai ekzekutivit. Mos ndoshta për këtë filtër kryeministri do ti japë udhëzime hetimi edhe Këshillit gjyqësor, këshillit të “pavarur” gjyqësor, që të hetojë gjyqtarët e ish lëndës së tij penale?! Do të japë udhëzime të hetojë ata të korruptuarit gjyqtarë dhe prokurorë që i ka në shënuar në bllokun e tij qeverisës. Për ata që nuk ndjekin frymën e “shenjtë të partisë” dhe interesave kriminale brenda dhe jashtë saj, të lidhur në një formë apo tjetër me interesat e organizatës partiake të yllit pesë cepësh. Se kështu po kuptohet çështja, kontrolle me udhëzime dhe selektime si t’ja ketë ënda të parit të qeverisë, dhe jo sipas një metodologjie strikte, paanshmërie dhe mbikqyrjeje ndërkombëtare, të zbatuar dhe provuar modele në shtete tjera, vëtëm këtë kuptim e jep.
E çuditshme se edhe kryetari aktual i Këshillit Gjyqësor, Kiro Zdravev, koordinohet me kryeministrin (sigurisht me hir apo pahir) kur deklaron se: “Në Maqedoni nuk mund të ketë veting në drejtësi, por kontroll të punës së gjyqtarëve, konform ligjit dhe kushtetutës.” Me një fjalë, sipas kryetarit të Këshillit, do të ketë drejtësi si në kohën e Gruevskit, Cërvenkovskit,Buckovksit, si në kohën e këtyre viteve qeverisjeje të Zaevit, ku drejtësia është në nivele mjeruese. Madje këto ditë kemi degjuar edhe “koordinimin” e nënkryetarit të Komisionit për Antikorrupsion, Nuri Bajrami, i cili deklaroi për mediat se vetingu i plotë i gjyqtarëve nuk është i mundur në vend për shkak të asaj që ai thotë, është ndotje e shoqërisë dhe mosrespektim i ligjeve nga e kaluara, ku ai shton: “Ne duhet të pyesim veten se kush prodhon krim dhe korrupsion. Përshtypja ime është se kemi ndotje korrupsioni në të gjitha sferat e jetës. Rrjedh nga politika, politika ka mbikëqyrjen e gjithçkaje. Po të zgjidhnim drejtuesit në këtë mënyrë siç u zgjodhëm ne, tani do të kishim pastrim të qartë.”
Deklaratat Bajramit të Antikorrupsionit, të koordinuara me deklaratat e kryeministrit, janë në vazhdën e krjimit të hutisë për kinse pamundësinë e vetingut. Vetingut të plotë dhe profesional nga struktura të posaçme me mbikëqyrje ndërkombëtare. Pastaj, nëse presim që Antikorrupsioni do të bëjë veting, është sikur të presim broçkulla. Kur dihet që ka tre vite qeverisja Zaev, dhe antikorupsioni jo që ska rezultat, por edhe nëse ngrihet ndonjë vepër penale, sigurisht e selektuar, ajo do të dështojë në dyert e gjykatave dhe prokurorive të korruptuara dhe joprofesionale. Pastaj mendimi i Nuri Bajramit se i gjithë korrupsioni vjen nga politika, duke e arsyetuar dhe amnistuar gjyqësorin si shkaktarin kryesor, është një deklaratë amatore e një juristi, kur kemi parasysh se shtylla e drejtësisë në vend është gjyqësori, dhe po që gjyqësori i drejtë, kriminaliteti i gjithanshëm zbehet, dhe jo e kundërta. Pastaj nënkryetari i komisionit duhet të na tregojë se në cilat filtra paskan kaluar anëtarët e Komisionit për anti Korrupsion, për të cilin tani mburren se nëse të gjithë do ta kalonin atë filtër, do të paskemi pastrim të qartë?! Apo mos e ka fjalën për ato filtra që kalojnë dhe kanë kaluar me dekada, ministra dhe deputetë, prokurorë e gjykatës të mbarë vendit! Se aktualisht nuk ka dhe nuk dimë të ketë komisione të specializuara dhe të monitoruara për kontroll – veting të bartësve publik, në Republikën e Maqedonisë së Veriut!
Për ta qartësuar edhe më shumë rrugëhumbjen e ketij vetingu bosh, të kordinuarve, kryeministrit, kryetarit të Këshillit gjyqësor, apo edhe të nënkryetarit të Antikorrupsionit dhe ambasadorit të BE-së, mjafton ti refereohemi njërit prej njohësve dhe ekspertëve më të mirë juridik në vend, profesorit Lubomir Fërçkovski, i cili para dy ditësh në një paraqitje televizive, idenë e re të vetingut të Zaevit, e komentoi kështu: “Vetingun të cilin e mendojnë me fokus pasurinë, do të jetë zhgënjim. Pika e parë e vetingut duhet të jetë puna jo–profesionale dhe shërbimi për pushtetit qeveritar. Vetingun si e kanë menduar, nuk do të japë rezultat, dhe përsëri Zaevi do të jetë fajtor si propozues.”
Kurse sa i takon përceptimit të ambasadorit Zhbogar për gjendjen e drejtësise në shtet, sigurisht që nuk përbëjnë qëndrimin unanim të Bashkimit Evropian, pos një përceptimi të nxitueshëm të ambasadorit për situatën e gjyqësorit. Pasi po Bashkim Evropian ka kushtëzuar dhe sugjeruar reforma të mirëfillta në drejtësi, për kushtëzime integrimesh në familjen Evropiane, me raporte negative që gjyqësorin e potencojnë si pikën që duhet punuar më shumë. Kujtojmë fjalët impresionuese të kolegut të Zhbogarit, ambasadorit të Bashkimit Evropian Luigi Soreka në Republikën e Shqiperisë, dhënë para disa muajsh në Konferencën e nivelit të lartë, ku ai në një pjesë të fjalimit, thotë: “…BE-ja mbështetet te vlerat e shtetit ligjor dhe të drejtat themelore. Por reformat nuk ndodhin sepse ne i kërkojmë ato. Reforma në drejtësi ndodhi për shkak të mbështetjes së madhe nga qytetarët shqiptarë. Qytetarët janë të parët që vuajnë nga një sistem i dështuar i drejtësisë. Humbja e besimit te gjyqësori nuk është një perceptim; ai rezulton nga padrejtësia e hidhur që shumë shqiptarë kanë pësuar personalisht ndër vite: një pronë e vjedhur sepse gjyqtari ishte korruptuar, një kriminel i regjur që nuk ndëshkohet, apo një biznes familjar i mbyllur për shkak të kërcënimit të patrajtuar nga krimi i organizuar. Pranueshmëra dhe ligjshmëria e reformës në drejtësi të Shqipërisë mbështetet, para së gjithash, mbi kërkesën dhe mbështetjen e qartë të popullit shqiptar. Rezultatet e reformës janë rezultati i tij. Duke bërë një hap pas dhe duke e parë në mënyrë realiste atë çka është arritur në tre vitet e fundit, mund të mendoni vetëm se shumë pak vende të tjera në botë do ta bënin një transformim dhe nivel kaq të thellë monitorimi ndërkombëtar.”
Kjo pjesë e fjalimi të Ambasadorit Evropian në R. Shqipërisë, Luigi Soreka, fjalim i cili pavarësisht se u tha në shtetin fqinj, kryeministri Zaev dhe të kordinuarit e tij, duhet ta dëgjojnë me kujdes dhe ta mbajnë vath në vesh, ashtu siç duhet ti mbajnë edhe fjalët e përfaqësueses së Bashkimit Evropian Vera Jurova. Dhe jo të vrapojnë pas çdo elementi të veçuar dhe të nxituar, si ushqim për qëllimet e tij të fshehura dhe të hapura, anti – veting.
Për ta faktuar edhe më tej reformën shembullore, të paanshme, dhe profesionale të reformës se vetingut që po realizohet në shtetin fqinj , kujojmë deklaratën e fundme të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë: “Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) i përbërë nga ekspertë amerikanë dhe evropianë mbikëqyr procesin. Ata mund të kërkojnë dokumente, të drejtojnë pyetje, të paraqesin opinione dhe të kërkojnë apelimin e vendimit. Kandidatët që kalojnë vetingun vazhdojnë të shërbejnë si gjykatës e prokurorë. Ata që dështojnë bazuar në pasuri të pashpjegueshme dhe lidhje me krimin, shkarkohen. Nëse gjyqtari ose prokurori gjendet i paaftë, ai ose ajo shkarkohet ose mund t’i kthehet shkollës së Magjistraturës”.
Si vazhdimsi e suksesit dhe filtrave të vetingut, dje nisi edhe SPAK-u (Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar), për të cilën ambasada e Shteteve te Bashkuara të Amerikës, në një postim në facebook shkruan: “Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm. Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor, Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë ti japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar.”
Dhe jo si prokurorët e Prokurorisë Speciale ne Maqedoninë e Veriut, prokurorë pa kaluar në filtra pasurie, profesionalizmi dhe lidhje korruptive, madje prokurorë pa përvoje te duhur, që në jetën e tyre nuk kishin hetuar as vepra penale të vjedhjes së pulave, e jo më përballje me vepra penale të rrënda. Prandaj edhe dështimi i Prokurorisë Speciale ishte evident, si në rrafshin moral ashtu edhe atë profesional.
Kësisoj, shihet qartë se kush është kundër vetingut të mirëfilltë në vendin tonë. Edhe një lider partie si Mickovski i VMRO-së, që gjysmën e ish funksionarëve e ka në procese gjyqësore dhe hetimi, për të cilat bën pazare amnestie, vjetërsime të lëndëve, apo dëshira për të pasur në dorë gjykatës dhe prokurorë të cilët i kanë brenda sistemit dhe që janë të dëgjueshmit e partisë së tij, përsëri është i detyruar të mbështesë vetingun në drejtësi, sepse nuk mund të ofendojë inteligjencën e popullatës me reforma dhe terminologji boshe, ndoshta thjesht edhe për vota elektorale dhe paraqitje karshi ndërkombëtarëve. Tani kundër vetingut të mirëfilltë në shtetin tonë, mbetet vetëm kryeministri Zaev dhe partia e tij, bashkë me disa “koordinues”, krerë insitucionesh, për të shpëtuar ai dhe bashkëpunëtorët nga drejtësia e vërtetë, si në lëndët e mëparshme penale apo ato spektakolare të aferës “zhvatja”, me protagonisten “kryengjëllin e Çarlit” – Katica Janevën. Njëkohësisht për ta pasur gjyqësorin në kontroll. Çdo kuptim ndryshe I kësaj situate është justifikim i një kriminaliteti të vazhdueshëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe paaftë, por edhe lejim përbaltje për ata gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm, të cilët etiketohen të korruptuar dhe të paaftë, shkak i kolegëve të tyrë rryshftexhinj dhe të lidhur me botën e krimit.
Gjithsesi, vetingu i plotë në drejtësi do të bëhet ngjashëm si në shtetin shqiptar. Të gjithë ata skeptikë që thonë se infrastrukura ligjore dhe mekanizmat e zbatimit janë të pamundura për veting, duhet tju themi se gabojnë, apo bëjnë lajka. Mjafton të ketë vullnet si qeveria Rama, dhe infrastrukura ligjore rregullohet shpejt dhe saktë. Ngase ndërkombëtaret nuk përdorin dy standarte me shtetet Ballkanit që synojne reformimin e vërtëtë. Ata duan pastrim të gjyqësorit dhe drejtësi serioze. Nëse në fillim LSDM-ja dhe krerët e saj, me arsyetime se kinse ndërkombetarët ishin kundër vetingut (gjë që thirrej Këshilli për reforma në drejtësi), më vonë ndryshoji mendje po nga trysnia ndërkombëtare, duhet ti kuptojmë që në fund, përsëri do ndryshojnë mendje, kur të gjendet me shpatullat pas muri nga partnerët e koalicionit qeverisës dhe kërkesës së qytetarëve për drejtësi të vërtetë. Do ndryshojnë mendje dhe ta bëjnë atë që duhet, atë që sduan ta bëjnë, apo atë që tani janë të paaftë ta bëjnë. Gjithmonë nëse i mbijetojnë zgjedhjeve të 12 Prillit.
Çështja është të mos humbet kohë, pasi çdo humbje kohe është dëm për popullatën. Humbje kohe shkak i zvarritjes së politikave të dështuara për kinse reforma në drejtësi, politika zvarritjeje për të cilat pa dyshim do të vijë ndëshkimi elektoral në adresë të LSDM-së, veçanërisht nga ai shqiptar, si viktima më e madhe e gjyqësorit të korruptuar dhe të padrejtë. I kujtojmë të parit të qeverisë, se me deklarata të izoluara të ambasadorëve të caktuar, nuk mund të ketë ikje nga drejtësia e merituar. Sepse deklarata të tilla, mbështetja dhe gjetje shpëtimi tek ta, është si të vendosësh gishtin para syrit, për të zënë diellin e stërmadh dhe rrezatues, që është kërkesa e vazhdueshme e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për reformat e duhura në drejtësi. Eshtë kërkesa konsekuente e qytetarëve të vendit për gjyqësor të pavarur dhe profesional.
Shpresojmë që këtë konsekuencë për veting të mirëfilltë, ta kenë edhe partitë politike shqiptare, opozitare dhe qeverisëse, mbështëtese të hapura të procesit të vetingut. Veçanërisht këtë kokëfortësi ta ketë partneri shqiptar i koalicionit qeverisës, i projektligjit të vetingut, për ti bërë ballë, atakuar dhe kundërshtuar reformat dhe vetingjet boshe të LSDM-së. Për hir të interesit madhor qytetar, partitë shqiptare, në kauza të cilat janë unanime, lipset të vendosin standartin e pathyeshem të kushtëzimit qeverisës.