Të paktën 4354 persona janë evakuuar nga qytetet e Ukrainës gjatë 24 orëve të fundit përmes korridoreve humanitare, njoftoi të hënën zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk.
“Gjithsej 3854 persona nga qytetet e rrethuara Mariupol dhe Berdyansk arritën në qytetin juglindor të Zaporizhzhias me autobusët e tyre të transportit dhe evakuimit”, tha Vereshchuk, e cila është gjithashtu ministre për riintegrimin e territoreve të okupuara përkohësisht të Ukrainës, në një deklaratë në Instagram, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ajo pretendon se për të tretën ditë radhazi, “pushtuesit” po shkelin marrëveshjet për të siguruar kalimin e një kolone autobusësh nga Zaporizhzhia në evakuimin e njerëzve nga Berdyansk, Tokmak dhe Enerhodar, duke shtuar se forcat ruse i mbajnë ata në pikën e kontrollit në Vasylivka në rajonin Zaporizhzhia të Ukrainës jugore.
Vereshchuk tha se pavarësisht shkeljeve “të vazhdueshme” të armëpushimit nga “pushtuesit”, mbi 500 persona u evakuuan nga qytetet Lysychansk, Severodonetsk, Rubizhne, Kreminna dhe Popasna në rajonin lindor të Luhanskut.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar reagimin ndërkombëtar, ka çuar në sanksione financiare ndaj Moskës dhe ka nxitur një largim të kompanive globale nga Rusia./FolDrejt/